Pavarësisht se në Itali vijon të dominojë, Juventusi humbi një tjetër shans për të treguar se mund të konkurrojë edhe në Europë. Në çerekfinalen e parë me Realin e Madridit, bardhezinjtë u mposhtën 0-3, duke e bërë thuajse të pamundur ëndrrën për t’u kualifikuar në ‘Santiago Bernabeu’ dhe për të vijuar më tej në Champions.

Ndeshja shkoi mjaft mirë për skuadrën e Zidanes, që gjeti golin e avantazhit që në minutën e 3-të, me anë të portugezit Cristiano Ronaldo, që sot thelloi edhe më tej rekordin e tij në Champions, duke shënuar në të gjitha takimet e këtij edicioni, plot 9 të tilla.

Në pjesën e dytë, kur Juventusi rriti presionin për të gjetur golin e barazimit, ishte sërish Reali që priti momentin e duhur dhe dyfishoi pas një goli fantastik të shënuar sërish nga portugezi, që ‘gjunjëzoi’ edhe njëherë ‘legjendën’ Buffon.

Goli nervozoi bardhezinjtë, pasi vetëm dy minuta më pas Dybala ngre takat ndaj Carvajal dhe ndëshkohet me kartonin e dytë të verdhë, duke lënë me 10 futbollistë skuadrën e Allegrit.

Si të mos mjaftonte kjo, bardhezinjtë pësojnë edhe golin e 3-të, të shënuar nga mbrojtësi brazilian Marcelo, që pasi kombinon bukur fillimisht me Lucas Vasquez dhe më pas me Ronaldon, kalon edhe portierin e Juves dhe dërgon topin në rrjetë.

Në minutat e mbetura, spanjollët menaxhuan lojën dhe energjitë, duke mbrojtur rezultatin 0-3, që e bën ndeshjen e kthimit, thjesht një formalitet.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here