Reali u kualifikua me ‘zemër në dorë’ për në gjysmëfinalet e Champions Leagues, pasi fitoi të drejtën e një penalltie në sekondat e fundit të ndeshjes, e cila u shndërrua në gol nga Cristiano Ronaldo.

Polemikat ishin të pashmangshme në ‘Santiago Bernabeu’, teksa në to u përfshi edhe kapiteni i parë i madrilenëve, Sergio Ramos. Ky i fundit ishte i pezulluar, pasi kishte plotësuar numrin e kartonëve të verdhë, por në minutat e fundit të takimit, shkoi në pankinë, për të qëndruar pranë skuadrës, pasi Reali ishte në një situatë shumë të vështirë, në humbje 0-3.

Më pas, Sergio Ramos u pa të debatonte ashpër me Masimiliano Allegrin, trajnerin e Juventusit, që dukej shumë i pakënaqur me akordimin e asaj penalltie. Polemikat vijuan edhe në tunelin që të dërgon për në dhomat e zhveshjes, një zonë tërësisht e ndaluar për lojtarët e pezulluar.

Pikërisht për këtë arsye, madrilenët janë tashmë në ankth, pasi Disiplina e UEFA-s, mund të skualifikojë për dy javë kapitenin dhe qendërmbrojtësin e Realit, Sergio Ramos, çka do të bënte që ai të humbte gjysmëfinalet e Championsit.

Mungesa e tij u ndje shumë edhe mbrëmë te Reali, pasi skuadra e Zidane e nxori plot 3 herë topin nga rrjeta, për më tepër ndaj një kundërshtari që e kishte mposhtur 3-0 vetëm një javë më përpara.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here