Realdo Fili zyrtarisht nuk është më një futbollist i Partizanit. Klubi kryeqytetas bëri të ditur këtë të martë zgjidhjen e kontratës në mënyrë konsensuale me 21-vjeçarin. Lajmi u bë i ditur në faqen zyrtare të klubit, që i dha kështu fund bashkëpunimit me sulmuesin, pas mosmarrëveshjes që lojtari pati në fundjavë me trajnerin Starova gjatë seancës stërvitore. Vetë Partizani ka falenderuar lojtarin për aventurën dhe paraqijtet pozitive me fanellën e kuqe duke veçuar kualifikimin historik me Ferencvaros në sezonin 2016/2017 të Europa League. Largimi i Filit është justifikuar si rezultat i konkurencës së shtuar dhe hapësirat e pakta të aktivizmit që mund të kishte lojtari në vazhdim të sezonit duke i dhënë atij mundësinë që të vazhdojë karrierën në një tjetër ekip. Ky sezon ka patur shumë ulje ngritje për Filin dhe për shkak të një dëmtimi të gjatë, që e ka penalizuar për të qenë titullar fiks në ekip. Ofertat megjithatë për 21-vjeçarin nuk mungojnë pasi Teuta dhe Kukësi janë përfolur si alternativa në Superligë, por gjithashtu ka interesim dhe nga jashtë, si Slaven Belupo i Kroacisë ndërsa zgjidhje emergjence do të ishte Mladost Podgorica, nëse futbollisti nuk do të arrinte të mbyllte asnjë marrëveshje në orët në vazhdim të merkatos së dimrit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here