Krejt ndryshe nga starti i sezonit, nga java në javë, të gjithë pak a shumë tani janë ndërgjegjësuar me idenë që Reali i Madridit nuk do të mund të mbrojë dot titullin e fituar në Primera Division.

Skualifikimi i yllit të ekipit Cristiano Ronaldo, arroganca e pashpjegueshme e Zinedine Zidane në merkaton e verës, si dhe zgjedhjet tepër të diskutueshme të po trajnerit francez në ndeshje të ndryshme të këtij sezoni, kanë bërë që “Los Blancos” të humbasin ndjeshëm terren kundrejt jo vetëm rivalëve të përjetshëm të Barcelonës, por gjithashtu edhe ndaj Atletikos së Simeones, që pa u ndjerë tanimë është salduar në vendin e dytë të kampionatit spanjoll.

Vetëm në 4 javët e fundit të La ligës, skuadra madrilene ka humbur plot 7 pikë ndaj Barçës, ndërsa në mesjavë në Kupën e Mbretit “merengues” nuk shkuan më shumë se barazimi 2-2, ndaj një skuadre modeste të Segunda Division si Numancia.

Ndonëse mbetet edhe takimi i prapambetur me Leganes, që javën e ardhshme do të jetë kundërshtari i radhës edhe në fazën çerekfinale të Kupës së Mbretit, në kampionat Sevillja dhe Villareali gjenden vërtet shumë pranë. Kalendari këtë fundjavë i vë Realit përballë pikërisht “nëndetësen e verdhë”, që në tabelën e renditjes për momentin pozicionohet 2 vende më poshtë, me vetëm 4 pikë më pak.

Takimi do të luhet në ‘Santiago Bernabeu’, në orën 16:15 dhe ekipit madrilen do t’i mungojnë përsëri dy lojtarë tepër të rëndësishëm si Sergio Ramos dhe Karim Benzema. Zidane pritet të mbështetet sërish te 3-shja Ronaldo-Bale-Isco, për të siguruar fitoren e parë në kampionat, për sa i përket vitit 2018, mision gjithsesi i vështirë, nëse merret parasysh fakti që Villareali i ka marrë rezultat klubit madrilen në 5 nga 10 përballjet e fundit.

Në orën 18:30 skuadra tjetër kryeqytetase Atletico rrezikon shumë në Vendet Baske, teksa do të ndeshet me Eibarin. Takimi i fundit në kampionat larg Stadiumit ‘Wanda Metropolitano’ u mbyll keq, pas golit të pësuar pikërisht në fund me ekipin e Espanjolit, ndërsa ndaj Eibarit trajneri Simeone nuk do të ketë në dispozicion 3 lojtarët Gabi, Saviç dhe Diego Costa, që mungojnë për arsye kartonash.

Pavarësisht se Eibari ka humbur 8 përballjet e fundit ndërmjet tyre si në Primera ashtu edhe Segunda Division, ekipi i Jose Luis Mendilibar përbën një kërcënim serioz për “Los Colchoneros”, pasi deri tani skuadra baske ka zhvilluar një kampionat shumë të mirë, për më tepër të mërkurën e ardhshme Atletikon e pret një duel tepër i fortë në Kupën e Mbretit me Seviljen.

Një kampionat shumë të mirë ka zhvilluar gjithashtu edhe Valencia, që aktualisht renditet në vendin e 3-të, me vetëm dy pikë diferencë me Atletikon e Madridit. Ndonëse nuk do të ketë në dispozicion dyshen Pereira-Kondogbia, skuadra e Marcelinos do të bëjë maksimumin për ta mbyllur në mënyrën më të mirë të mundshme fazën e parë, teksa do të vizitojë në Stadiumin ‘Riazor’, Deportivo La Korunën.

Dy klubet kanë një rivalitet historik që pas sezonit 1993-94, kur Valencia bllokoi brenda në ‘Riazor’ ekipin Galician, për t’i dhënë titullit Barçës së Johan Krujfit, ndërsa në sezonin 2010-11 ishin e mundën Deportivon sërish brenda në shtëpi, për ta rrëzuar pas shumë kohësh në Segunda Division.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here