Pasi UEFA konfirmoi dënimin e klubit të Skënderbeut ashtu siç kishte kërkuar pretenca, me 10 vite pezullim nga aktivitetet ndërkombëtare dhe një milion euro gjobë, ka ardhur edhe reagimi i korçarëve.

Në një deklaratë për shtyp, klubi Skënderbeu konfirmon se do të ndjekë procesin edhe në shkallët e tjera të gjykimit, ku shprehet besimplotë se do të gjejë drejtësi.

Deklaratë për shtyp: 
Sot, më datë 29 Mars 2018, Komisioni i Kontrollit, Etikës dhe Disiplinës i UEFA-s shpalli vendimin për përjashtimin e KF Skënderbeut nga kompeticionet europiane për një periudhë 10 vjeçare dhe caktimin e një mase disiplinore financiare në vlerën 1 milion euro. Siç ishte paralajmëruar nga ana jonë, më datë 21 Mars 2018, vendimi i organit juridik të UEFA-s pritej të ishte i tillë, pasi vetë procedimi në këtë institucion paraqet të meta serioze në lidhje me parimin e pavarësisë institucionale dhe garantimin e të drejtave proçedurale të palëve.

Përpara këtij vendimi, e vetmja mënyrë për KF Skënderbeun për të mbrojtur punën shembullore të klubit dhe krenarinë e komunitetit sportiv korçar e kombëtar, mbetet apelimi në CAS dhe në Gjykatën e Lartë Federale Zvicerane. Është e qartë për të gjithë shqiptarët, se drejtësia sportive e UEFA-s është tërësisht në funksion të interesave striktërisht private të këtij institucioni dhe të partnerëve të tij.

Krenarë për sukseset historike, të cilat janë produkt i meritave, mundit dhe sakrificave tona, KF Skënderbeu mbetet besimplotë se drejtësia e pavarur sportive ose civile, do të konfirmojë pafajësinë tonë dhe do të rrëzojë vendimin absurd të Komisionit të Kontrollit, Etikës dhe Disiplinës të UEFA-s. Çmojmë se e vetmja arritje e UEFA-s, përmes këtij proçesi është vrasja e kredibilitetit dhe integritetit të këtij institucioni në komunitetin sportiv ndërkombëtar.

Zyra për shtyp!
KF Skënderbeu

 

 

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here