Për një trajner në debutim, ndonjëherë nevojitet dhe një dorë e fatit për të patur fillimin e duhur, por Julian Ahmatajt dhe Kamzës në sfidën me Skënderbeun më tepër se çdo gjë i mungoi fati. Në sfidën e tij të parë në krye të stolit të skuadrës së Superiores, Ahmataj dhe skuadra e tij treguan dëshirën për të përmbysur një situatë aspak të lehtë që e shndërroi ekipin nga një formacion që luftonte për Europën në një skuadër, që tashmë lufton për mbijetesën.

Kamza në Korçë ndaj Skënderbeut bëri një ndeshje të jashtëzakonshme, duke shfaqur mbi të gjitha një forcë të madhe reagimi, aq sa në humbje 2-0 brenda një pjese loje arriti të rregullojë rezultatin në 2-2. Gjithsesi, dozat e fatit u panë që ishin kundër formacionit të Ahmatajt që në fillim me erën që i erdhi në ndihmë Skënderbeut në rastin e golit të Gjergji Muzakës. Dhe kur e nis ndeshjen 0-1 për një çështje fati ndaj skuadrës më të mirë në vend sigurisht që duhet të punosh dyfish për të korrigjuar atë që ta heq pikërisht fati.

Ndeshja e Kamzës përballë Skënderbeut ishte në fakt një sfidë realisht e luajtur shumë mirë nga skuadra e Ahmatajt, me një skuadër që tregoi se dëshiron të ndryshojë rrjedhën negative ku gjendet, por më tepër se loja këtë të shtunë dhe vetë Ahmataj do të kishte preferuar të merrte pikët, pasi në fund llogaritë do të bëhen me to dhe jo me lojën.

Gjithsesi, diçka pozitive në start Ahmataj e tregoi tani, përpara tij është detyra e vështirë për të marrë rezultatet dhe nëse shkohet me të njëjtën grintë si ndaj Skënderbeut është e sigurt se nuk do të mungojnë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here