Paris SG afrohet akoma më shumë me titullin e shtatë në Le Championnat pas një fitoreje tepër të vuajtur, por shumë të rëndësishme në stadiumin “Allianz Riviera” ndaj Nisës. Kampionët në fuqi arritën të përmbysin disavantazhin, duke koleksionuar njëkohësisht edhe fitoren e 19-të në 21 takimet e fundit në kampionatin francez. Ekipi i Lucien Favre e filloi më mirë ndeshjen, teksa kaloi në epërsi që në 17′ me anë të Allan Saint – Maximin. 21-vjeçari me origjinë haitiane mori një pasim të shkëlqyer nga Plea që nga gjysmëfusha e tij dhe falë një sprinti prej afro 50 metrash u shfaq i vetëm përballë Areolës, duke zhbllokuar rezultatin. Reagimi i skuadrës pariziene nuk vonoi dhe merita për këtë i takon plotësisht argjentinasit Angel Di Maria, që katër minuta më vonë, pas një një zbritjeje të shpejtë nga krahu i majtë, poshtëroi qendërmbrojtësin brazilian Dante, për të shënuar një gol vërtet shumë të bukur. Përveç 30-vjeçarit nga Rozario një ndeshje shumë të mirë zhvilloi edhe Dani Alves. Ishte pikërisht veterani brazilian që tetë minuta para përfundimit i shtoi repertorit të tij të pasur edhe një gol me kokë, pas një harkimi të përsosur të Adrien Rabiot. Në fund, ekipi i Unai Emery nuk e pati të vështirë për të administruar suksesin 2-1 dhe falë fitores së nëntë radhazi në Le Championnat kampionët në fuqi shkëputen me plot 17 pikë nga skuadra e Monacosë, kur kanë mbetur vetëm 7 javë për t’u luajtur.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here