Barazimi me Napolin, sidomos pas një paraqitjeje të mirë të skuadrës së Interit, pritej të rikthente qetësinë te zikaltrit, por përkundrazi, tensionet janë rritur edhe më shumë. Për “t’i hedhur benzinë zjarrit” ka menduar trajneri i Interit, Luciano Spalletti, që sulmoi në mënyrë direkte dhe indirekte të gjithë me radhë, nga shoqëria zikaltër, te skuadra, por edhe lojtarë të veçantë.

Fjalët e Spallettit janë lexuar në mënyra të ndryshme nga ana e opinionistëve sportivë në Itali, ku një pjesë e mirë mendojnë se tekniku ka tentuar të shkundë skuadrën në prag të fazës më deçizive të sezonit, 11 javëve të fundit.

Gjithsesi, ekziston edhe interpretimi tjetër, që duket më real dhe që merr të mirëqena fjalët e trajnerit zikaltër, i cili ka dashur të shprehë të gjithë zhgënjimin e tij me drejtuesit dhe skuadrën që ata i kanë dhënë në dispozicion.

Nuk është më një sekret që Suning dhe drejtuesit e Interit, nuk i kanë mbajtur premtimet e tyre ndaj Spallettit, pasi në dy sezone merkatoje, nuk ka ardhur asnjë lojtar me peshë, i aftë të ‘marrë skuadrën për dore’ dhe ta nxjerrë nga situate e vështirë.

Spalletti e ka të qartë se arritja e objektivave është vërtetë e komplikuar, pasi skuadrës ‘i mungon kualiteti’, ashtu siç e tha pas takimit me Napolin. Jo më kot, edhe tifozëria zikaltër kërkon shpesh aktivizimin e 19-vjeçarit, Yann Karamoh, që pavarësisht se ka zero eksperiencë, ngjall më shumë shpresë se Candreva, Perisiç apo Eder së bashku.

Së fundi, fcinternews.it, një sajt pranë zikaltërve ka raportuar se e ardhmja e Spallettit varet ngushtësisht nga arritja ose jo e Championsit, por edhe renditja në 4-shen e parë mund të mos mjaftojë. Kjo pasi edhe në rast kualifikimi në Champions, tekniku zikaltër do të kërkojë një sërë garancish që lidhen me merkaton dhe afrimin e futbollistëve me peshë, përpara se të japë miratimin për vijimin e detyrës.

Gjithsesi, deri atëherë janë edhe 11 javë për t’u luajtur dhe ndoshta futbollistët e Interit vendosin të ndryshojnë sërish faqe dhe të rikthehen të fitojnë, ashtu si në fillim të sezonit, për ta bërë edhe Spallettin të ndryshojë mendim.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here