Futbolli mbetet realisht një pasion i madh për fëmijët. Pas disa muajsh që nga nisja e projektit “GROW” në shkolla të ndryshme në të gjithë Shqipërinë, me futbollin në orën e edukimit fizik, sot presidenti i FSHF-së, Armand Duka ishte pranishëm dhe ndoqi nga afër fëmijët e shkollës 9-vjeçare “Betim Muço” në zonën e Kombinatit, në orën e tyre të fiskulturës.

Një atmosferë vërtetë e shkëlqyer dhe entuziaste me fëmijët, djem dhe vajza bashkë, të cilët futbollin realisht e duan shumë, por edhe me shumë nxënës të tjerë që ndiqnin jashtë fushë këtë orë. Vetë Presidenti i FSHF-së, z.Duka inkurajoi më shumë fëmijët për të qenë sa më afër futbollit:

“Jam i lumtur që jam sot këtu mes jush. Ju siguroj se Federata Shqiptare e Futbollit do të vazhdojë të ketë një prioritet të madh futbollin e fëmijëve, për të qenë sa më afër pasionit dhe dëshirës tuaj dhe gjithë moshave të fëmijëve. Projekti që ne kemi nisur në të gjithë Shqipërinë synon që të gjithë ju, të zbaviteni dhe të argëtoheni duke mësuar dhe luajtur futboll, pse jo, shumëkush prej jush mund të vazhdojë më tej, me skuadra të tjera. Ne do të jemi gjithmonë në mbështetje për të afruar sa më shumë fëmijët me futbollin, me ëndrrën e tyre. Do desha të falenderoj Drejtorin e Shkollës, apo edhe të gjithë homologët e tij në shkolla të ndryshme në Tiranë e rrethe, si edhe për mësuesit e edukimit fizik që punojnë me këta fëmijë dhe realizojnë projektin tonë ambicioz, i cili është në vitin e parë të zbatimit të tij”.

Më pas, Flavia, një vajzë e vogël e klasës së tretë në këtë shkollë foli edhe ajo me emocionet e saj, mbresat për këtë orë futbolli:

“Mua më pëlqen jo pak futbolli dhe mendoj se edhe pse është një sport që e luajnë më shumë djemtë, edhe ne kemi dëshirën të luajmë dhe të mësojmë”.

Presidenti Duka, së bashku me ish-futbollistët e ekipit kombëtar, Alban Bushi, (aktualisht trajner i ekipit kombëtar U-21), Ervin Bulku, (aktualisht, pjesë e stafit të ekipit kombëtar A), apo edhe Vasil Bicit, anëtar i KE, së bashku me fëmijët gjuajtën topin e futbollit në mënyrë simbolike drejt portës. Nuk munguan për asnjë momentet, fotot dhe autografet e shumta që fëmijët e asaj shkolle kërkonin si kujtim, teksa ndoqën më tej edhe dëshirën e fëmijëve në fushë për të shënuar gol gjatë lojërave të ndryshme.

Paralelisht me eventin e sotëm, në shumë shkolla të tjera 9-vjeçare në Tiranë dhe në rrethe vijon zbatimi i projektit “GROW”. Ajo që spikat është dëshira në rritje e fëmijëve me futbollin në orën e fiskulturës. Ky është vetëm viti i parë i implementimit të projektit, teksa paralel FSHF ka nisur procesin e licencimit me nivelin e Licensës “D” edhe për mësuesit e edukimit fizik, që zbatojnë pikërisht futbollin në orën e tyre.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here