Disfata e Argjentinës në miqësoren me Spanjën i ngjason një makthi duke hapur plagë të thella në përfaqësuesen bardhekaltër, që tashmë duhet të gjejë kurën për t’u forcuar përpara Botërorit, por nëse tifozët do të mendonin se i riu i talentuar Paulo Dybala i Juvetnusit do të ishte ilaçi për këtë përfaqësuese, e vërteta është se vetëm Lionel Messi mund ta çojë në këmbë Kombëtaren Albiceleste që pa prezencën e tij ngjan me një skuadër mediokre, të sëmurë, aspak me një pretendente për Kupën e Botës.

Messi mund të thuhet me plot gojën se është hajmalia e fatit për ekipin e Sampaolit, duke vërtetuar se kjo Kombëtare ka krijuar varësi nga sulmuesi 30-vjeçar, me të lindurin në Rosasio që ka efektin  e një droge për ta. Edhe nëse formacioni argjentinas do të kishte të përfshirë numrin 10 të skuadrës nga Torino, diferenca nuk do të ishte ndjerë, pak do të mund të kishte bërë Paulo Dybala për të ndryshuar këtë rezultat. Që sulmuesi 24-vjeçar është një talent absolut kjo nuk ka dyshime, pasi janë të paktë emrat që qëndrojnë superior ndaj tij në botën e futbollit,  por Dybala nuk është Messi e aq më pak janë Giovani Lo Celso, Ever Banega, apo Manuel Lanzini, treshja që tentoi suksesin për Argjentinën.

Argjentina e sotme varet nga Lionel Messi 10-herë më shumë se sa varej nga legjenda Maradona në vitin 1986, ky është opinioni i një kombi tërë. Për vitë të tëra kur Argjentinës i është dashur të përballet me zëvendësimin e trajnerëve të njëpasnjëshëm Messi ka qënë shtylla kurrizore për këtë skuadër, por Argjentina duhet t’i bëjë llogaritë pa të për të ngritur nivelin. Dhe padyshim që Sampaoli e di këtë dhe përgjatë vitit të fundit ka tentuar ta kthejë këtë në një ekip të konsoliduar pasi vlen shprehja që mëson më shumë nga humbja se sa fitorja. Gjithsesi, Botërori nuk është skena ku duhet eksperimentuar ndaj tashmë letrat janë hapur në tavolinë dhe nëse Albicelstët duan të bëjnë një paraqitje dinjitoze kushti është që Messi të zbresë në fushë.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here