Janë Prishtina dhe Vushtria dy skuadrat e fundit që siguruan një biletë për në fazën gjysmëfinale të Digitalb Kupës së Kosovës, duke iu bashkangjitur Vëllaznimit që eliminoi Dritën një ditë më parë dhe Drenicës që avancoi më tej me short pa zbritur fare në fushë. Në Podujevë skuadra e Mirel Josës mposhti pas goditjes së penalltive Llapin dhe tashmë ka shanse të shkëlqyera për të mbrojtur trofeun në këtë kompeticion, ndërkohë që Vushtira surprizoi jo pak duke eliminuar Gjilani falë fitores 1-0 në transfertë.

Përfundoi në barazim 2-2 koha e rregullt dhe ajo shtesë në supersfidën e këtyre çerekfinaleve të Digitalb Kupës, mes Llapit dhe Prishtinës, kështu që për të përcaktuar skuadrën fituese u nevojit goditja e penalltive. Në Podujevë ishin vendasit ata që zhbllokuan shifrat të parët teksa Mirlind Daku kaloi në epërsi Llapin në minutën e 42-të, por Prishtina e Mirel Josës e gjeti forcën për të reaguar dhe në minutën e 75-të barazoi shifrat me malazezin Drasko Bozovic i cili ekzekutoi saktë një goditje standarte. 90 minutat e kohës së rregullt përfunduan në barazim 1-1, ashtu si edhe shtesa e parë, ndërkohë që në 15 minutat e dytë të shtesës u realizuan edhe dy gola të tjerët. Në minutën e 107-të kryeqytetasit shtangën vendasit duke përmbysur shifrat me golin e dytë personal të malazezit Bozovic por edhe me një lojtar më pak pas daljes me të kuq të Berbatovcit, skuadra e Tahir Batatinës nuk u dorëzua dhe në të 112-ën, pas një goli shumë të bukur që mban gjithashtu firmën e Mirlind Dakut. Nga 11-metra distancë, futbollistët e Prishtinës u treguan më të saktë pasi triumfuan 3-2, duke avancuar në gjysëmfinale.

Në takimin tjetër i cili për shkak të kushteve të rënduara të stadiumit të Gjilanit u zhvendos për t’u luajtur në fushën me bar sintetik të Ferizajt, me Vushtrinë skuadrën e ligës së parë që dhuroi surprizën e madhe të këtyre çerekfinaleve duke mposhtur 1-0 Gjilanin dhe duke u kualifikuar në fazën gjysmëfinale të Digitalb Kupës së Kosovës.Vendosi gjithçka goli i Jetmir Topallit në minutën e 36-të, ndërkohë që në sekondat e fundit vendasit mbetën me një lojtar më pak pas daljes me karton të kuq të Betim Haxhimusës.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here