Cristiano Ronaldo plus një shumë e konsiderueshme parash, për të veshur me fanellën e bardhë Neymarin. Kjo është ideja më e fundit e presidentit të Realit të Madridit, Florentino Perez, për të arritur te braziliani i PSG-së, i cili është kthyer në një obsesion për numrin 1 të klubit “merengues”.

Koha nuk premton pasi Perez dëshiron ta mbyllë marrëveshjen në merkaton e verës, por për të evituar surprizat ai synon që të marrë menjëherë miratimin e sheikut Al Khelaifi. Në këtë mënyrë, futja në lojë e një karte joshëse si Ronaldo, mund t’i lëkundë pozitat e sheikut, që ka një dobësi të madhe për luzitanin, edhe pse ai tashmë në moshën 33-vjeçare ka nisur të tregojë limitet e tij si atlet.

Fituesi i Topit të Artë është vite dritë larg formës së vitit të shkuar dhe kjo reflektohet në mungesën e qetësisë që ai ka në fushën e lojës. Cristiano Ronaldo i 2018-ës duket se është kopja e shëmtuar e sulmuesit të disa muajve më parë.

Perez ka qenë i qartë me Neymarin, sepse ia ka bërë të qartë që vetëm te Reali mund ta fitojë Topin e Artë, ndërsa në krahun tjetër, Ronaldo i blinduar nga një kontratë faraonike, nuk do ta kundërshtonte idenë për ta mbyllur karrierën në një klub ambicioz si PSG-ja.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here