Michel Platini i drejtohet Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg të Francës për të rifituar reputacionin e tij, duke kontestuar pezullimin përjetë nga të gjitha veprimtaritë futbollistike, vendim ky i dhënë nga FIFA dhe i konfirmuar edhe nga KAS-i në Lozanë, ndonëse u ul në katër vjet.

Francezi i është drejtuar më 26 dhjetor kësaj gjykate, pasi masat ndëshkimore që janë dhënë ndaj tij i konsideron komplot të FIFA-s. Gjithçka lidhet me një pagesë 1.8 milionë euro që ka marrë nga FIFA (drejtohej nga Sepp Blater) për konsulencë ligjore.

Ky transaksion i kushtoi Platinisë përjashtimin në zjedhjet presidenciale të UEFA-s në vitin 2016.

“Ky apelim është çështje nderi. Mund të prisja përfundimin e pezullimit, por unë dua drejtësi,” – deklaroi Platini.

Një lëvizje kjo për të goditur FIFA-n, që sipas avokatëve të ish-presidentit të UEFA-s, do të nxjerrë në pah faktin që institucioni më i lartë i futbollit në botë, nuk ka respektuar principet e një procesi të drejtë. Në shënjestër të Platinisë janë, Vanessa Allard, ajo që përgatiti dosjen kundër francezit në Komitetin e Etikës, dhe Andreas Bantel, zëdhënës i komisionit hetimor të këtij komiteti dhe Domenico Scala, kryetar i komisionit elektoral më FIFA.

Sipas Platinisë, të gjitha akuzat janë sajesa dhe kanë patur si qëllim vetëm dëmtimin e imazhit të tij. Ai shkon me tej duke deklaruar se çdo gjë është orkesturar në FIFA, që vendos drejtësi si në Mesjetë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here