“Shkopi Magjik” është elementi që përmendet shpesh në futboll. Asgjë nuk mund të konvertohet nga negative në pozitive në fraksionin e sekondës, megjithatë mentaliteti i një skuadre mund të nisë të përmirësohet edhe pas pak javësh. Dëshmia e qartë është loja e Kukësit. Peter Pacult u emërua në krye te bluve më datë 2 Janar, duke marrë përsipër një bast me koeficient të lartë vështirësie. Kukësi kishte humbur në errësirë nën drejtimit e Milinkovic. Natyrisht jo e gjithë përgjegjësia ishte e teknikut serb, por rezultatet dhe humbjet turpëruese ndaj Lushnjës dhe Luftëtarit e kishin zhveshur ekipin nga petku i kampionit.
Përvoja e Peter Pacult u vendos menjëherë në shërbim të ekipit, madje grimcat e ndryshimet u vunë re që në fazën përgatitore. 2 fitore kundër Kayserisporit dhe Bursasporit, 2 skuadra të Superligës së Turqisë, më pas sinjali i parë i vërtetë i një ekipi me “make – up” të ri ishte takimi kundër Fenerbahces. Vetëm dy penallti të akordura me dashamirësi nga gjyqtari bënë që sfida të mbyllej në barazim.
Natyrisht, miqësoret e kanë rëndësinë e tyre, por dueli me Vllazninë do të ishte prova e vërtetë. Verilindoret jo vetëm triumfuan 1-3, por më kryesorja dhuruan ndoshta futbollin me të bukur të dy sezoneve të fundit. Afrimet në merkato kanë rezultuar deri më tani goditje të sakta. Donjet Shkodra u shfaq rregullator i lojës në mesfushë dhe Zderic debutoi me gol duke qenë edhe një pikë e fortë e repartit mbrojtës. Kukësi funksionoi i gjithi si grup, duke prodhuar raste të tjera para portës kundërshtare. Duket sikur ka kaluar shumë kohë nga ai ekip pa busull i fazës së parë e të dytë, por në fakt pjesë më e madhe e organikës është po ajo, thjesht janë bërë meremetimet e duhura.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here