Alban Hoxha, Lorenc Trashi, Idriz Batha, Gëzim Krasniqi, Arbnor Fejzullahu, Mentor Mazrekaj, por edhe të tjerë iu bashkuan Partizanit rreth katër vite më parë, pasi kishin luajtur në skuadra modeste të kampionatit shqiptar, në Kategorinë e Parë, por me talentin që kishin premtonin shumë për të ardhmen. Grupit iu shtuan rrugës edhe Emiljano Vila e Xhevair Sukaj, që formuan atë e cila do të njihej edhe si baza e Partizanit. Të rinj në moshë dhe me energji i dhanë Partizanit të gjithë grintën e tyre, ndërsa Partizani i dha emrin dhe i bëri të famshëm, por edhe ndër lojtarët më të paguar në Superiore. Me kalimin e viteve miqësia mes lojtarëve të kuq do të forcohej, ndërsa Partizani do të kishte rezultate pozitive në kampionat dhe Europë edhe pse titulli i munguar vazhdon të jetë një peng i tifozëve, drejtuesve, por edhe vetë atyre që ishin në fushë.
Por, kohët e arta tashmë kanë përfunduar. Me kalimin e viteve gjërat janë sfumuar dhe drejtuesit e rinj, por edhe të vjetrit i shpallën “luftë” atyre që flitej gjithmonë e më shumë se kishin krijuar klane, apo vendosnin gjithçka brenda skuadrës. Askush nuk e di nëse një gjë e tillë është e vërtetë, por ajo që flitej që vitin e shkuar për largime masive është duke ndodhur.
Të parët ishin, Vila, Krasniqi e Malota. Ky i fundit një ndër më të penalizuarit, pasi për Partizanin sakrifikoi dhe la shiritin e kapitenit te Kukësi, duke pranuar stolin për një kohë të gjatë dhe më pas linçimin…do jetë penduar padyshim për një zgjedhje të tillë.
Por, edhe pas këtyre largimeve zëra se do të kishte të tjerë nuk pushuan asnjëherë, madje edhe futbollistë me peshë. Por, kush ka mbetur nga grupi i katër viteve më parë? Trashi ishte një prej tyre që pas sherrit me trajnerin Starova, është me një këmbë jashtë skuadrës. Pra shpartallimi rezultoi me sukses dhe deri në fund të merkatos mund të ketë të tjera “shpërthime”, apo largime me nevojën për impulse të reja, kanë mbetur ende…Alban Hoxha e Idriz Batha.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here