Kategoria Superiore ofron këtë të diel dy ndeshje mjaft interesante, që do të nisin në të njëjtin orar, 14:00, Laçi – Partizani dhe Kamza – Kukësi. Dy përplasje me rivalitet të madh për objektivat sezonalë të katër formacioneve që do të zbresin në fushë.

Në Laç pritet të zhvillohet një takim i nxehtë mes kurbinasve dhe të kuqve, që në kampionat kanë të njëjtin synin, të renditet në vendin e tretë, që do t’u siguronte pjesëmarrjen në Europa League. Laçi, në fakt, e ka ende një mundësi për ta arritur Europën edhe nëpërmjet Kupës, por gjithsesi ekipi i Gentian Mezanit e ka të të qartë se ky objektiv ndoshta është më i sigurt nëpërmjet kampionatit. Laçi ka rezultuar një kockë e fortë për Partizanin në këtë sezon, duke marrë dy fitore dhe një barazim. Interesant është fakti që 15-herë kampionët e Shqipërisë nuk kanë shënuar qoftë një gol në portën e kurbinasve, por ecuria e javëve të fundit ka ngjallur optimizëm në kampin e kuq. Të dyja skuadrat kanë nga 42 pikë dhe një barazim i mundshëm do t’i mbante në të njëjtin pozicion ku ndodhën aktualisht, por ambiciet e skuadrës së Dalipit janë edhe më të mëdha: të tentojë t’i rrëmbejnë vendin e dytë Kukësit.

Në të njëjtën orë kampionët në fuqi të Kukësit do të vizitojnë Kamzën, që krejt papritur, brenda pak javësh, e sheh veten në vorbullën e mbijetesës. Verilindorët, cinikë në ndeshjet jashtë fushë, duan ta sigurojnë sa më parë vendin e dytë, ndërsa për kamzalinjtë pikët janë emergjente, për të  mos lejuar ngushtimin e mëtejshëm të diferencës me Vllazninë, por edhe me Teutën.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here