Realdo Fili ishte vetëm emri i fundit që iu shtua listës së largimeve nga Partizani. Një spastrim i paprecedentë në radhët e të kuqve, që në sezon e sipër kanë ndryshuar më tepër se 50 % të kontingjentit, mes tyre 13 lojtarë të larguar, që erdhën si blerje të rëndësishme apo ishin titullarë të skuadrës. Riformatim si asnjëherë më parë, edhe sepse gjithçka ka ndodhur në aktivitet e sipër.

Fillimisht u larguan 8 futbollistë të sinjalizuar nga këshilltari Luciano Moggi gjatë verës, ku pjesa më e madhe nuk kapën as pauzën e mesit të edicionit. La Kamera, Erik Herrera, Basrak apo edhe Adorjan i rritur te Akademia e Liverpool-it, nuk i ofruan skuadrës rritjen e kërkuar cilësore. Përkundrazi, me këta lojtarë dhe trajnerin Iuliano në stol, ecuria në kampionat ishte shumë larg asaj të sezonit të kaluar, kur të kuqtë luftuan deri në fund për titullin.

Lëvizjet e mëdha në dalje vijuan edhe në ditët e para të merkatos së dimrit, ku fillimisht u largua Xhevahir Sukaj dhe më pas u lanë jashtë ekipit lojtarë si Malota, Krasniqi dhe Vila. E ndërsa arritën të rikuperonin marrëdhënien e krisur me Trashin, pas debatit me Starovën në Antalia, përplasjet e trajnerit vijuan me Realdo Filin, që tashmë mbetet jashtë ekipit.

Gjithçka në një moment kur asnjë klub nuk ka kohë të rikuperojë qoftë edhe një gabim të vetëm në merkato, ndërsa për zëvendësime cilësore të gjysmës së ekipit, duket jashtë çdo logjike që të diskutohet. Situatë aspak normale për një skuadër që nga pretendente, tashmë kërkon të shpëtojë sezonin, duke siguruar të paktën një biletë në Europë. Kupa e Shqipërisë është ajo që ofron më tepër shanse për realizimin e objektivit, por nëse rindërtimet e një pas njëshme të skuadrës kanë qenë të drejta apo të gabuara, këtë do ta tregojë vetëm koha.

Lojtarët e larguar nga Partizani gjatë pauzës dimërore:

DHJETOR 2017
ANDREA SELVAXHO
ERIK HERRERA
XHOVANI LA KAMERA
MILAN BASRAK
ROMEO SHAHINAS
KRISTIAN ADORJAN
MUSTAFA ENOK XHIXHIUA
UARLEI ALVESH

JANAR 2018
XHEVAHIR SUKAJ
RENATO MALOTA
GËZIM KRASNIQI
EMILIANO VILA
REALDO FILI

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here