Nuk mjafton që nuk fiton tashmë prej 3 javësh, dy barazime dhe një humbje, por edhe java e ardhshme rezervon një tjetër sfidë delikate për Milanin. Kuqezinjtë do të luajnë ndeshjen e 3-të radhazi në ‘San Siro’, dhe do të presin Napolin e Sarrit, që po ‘vrapon’ për të parakaluar Juventusin në garën për titullin.

Sfida bëhet edhe më e komplikuar për kuqezinjtë, që në këtë takim nuk do të kenë të gatshëm kapitenin Leonardo Bonucci, që plotësoi dje numrin e kartonëve të verdhë dhe do të jetë i skualifikuar.

Gjithashtu dhimbja e kokës për Gattuson shtohet edhe më shumë, pasi edhe qendërmbrojtësi tjetër titullar, Romagnoli la fushën e lojës që në minutën e 6’ për shkak të një dëmtimi dhe vështirë se do t’ia dalë të rikuperojë për sfidën me skuadrën e Sarrit.

Në kushte të tilla, trajneri i Milanit do të jetë i detyruar t’i besojë dyshes Zapata-Musacchio, që muajt e fundit kanë pasur shumë pak minuta në dispozicion dhe që nuk ofrojnë aspak garanci, për më tepër përballë një skuadre që luan shumë shpejt me topin.

Natyrisht që kjo emergjencë në mbrojtje nuk është telashi i vetëm e teknikut të Milanit, pasi edhe disa prej titullarëve të tjerë po shfaqin shenja të shterimit të energjive në takimet e fundit.

Lojtarë si Suso, Bonaventura dhe Calhanoglu, nga të cilët Gattuso pret që të krijojnë raste për gol, nuk kanë freskinë e fillimit, kjo pasi luajnë titullarë dhe çdo 3 ditë, që nga mesi i muajit Nëntor.

Gjithsesi, Gattuso e di mirë se një humbje ndaj Napolit do të komplikonte shumë ecurinë e skuadrës, jo më për zonën Champions, por do të vihej në rrezik edhe pjesëmarrja në Europa League, pasi Fiorentina, Atalanta dhe Sampdoria, janë aty pranë dhe gati për të përfituar.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here