Peter Pacult ka pranuar se Kukësi nuk arriti të japë më të mirën në takimin e sotëm në Laç, por tha se kishte mbetur i kënaqur nga rezultati, pasi tashmë mund të synojë kualifikimin në ndeshjen e kthimit.

Arritët ju barazimin, apo ju ndali Laçi?
Mendoj që edhe para fillimit të takimit, ishim të bindur që do të ishte një ndeshje shumë e vështirë, pasi kjo fushë është jo e lehtë për çdo kundërshtar. Mendoj se luftuam shumë, por nuk luajtëm shumë futboll. Me rëndësi ishte që nuk pësuam dhe tani do të presim ndeshjen e kthimit, për të synuar kualifikimin.

Në ç’kuptim, nuk luajtët futboll?
Gabuam shumë pasime të thjeshta, por edhe Laçi nuk na lejoi të bënim lojën tonë, ndaj ndonëse vrapuam dhe treguam grintë, nuk dolëm në lojën tonë më të mirë.

Mendoni se ju favorizon ky rezultat?
Unë mendoj që me zeron në mbrojtje jam i kënaqur, por me faktin që nuk shënuam, nuk është se na ndihmon shumë. Goli i anuluar mu duk i rregullt, por më duhet ta rishikoj. Tani do të punojmë për të luftuar shumë në ndeshjen e kthimit, që të kualifikohemi për në finale.

A keni një strategji për ndeshjen e kthimit?
Ka kohë për të menduar për ndeshjen e kthimit. Tani mbaroi ndeshja e parë dhe unë nga ky moment do të mendoj vetëm për ndeshjen me Kamzën në kampionat. Kur të jemi para ndeshjes së kthimit, do të mendoj për të.

Pse vendosët të rikthenit Koliçin titullar, pikërisht sot?
Ai është portieri ynë dhe unë doja të vlerësoja gjendjen e tij para ndeshjes me Kamzën. Tani jam shumë i qartë mbi gjendjen e të dy portierëve dhe e di se kush do të luajë me Kamzën.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here