Kukësi i dha fund serisë së rezultateve pozitive, teksa u mposht 2-1 nga Luftëtari, në Gjirokastër. Ashtu siç e pranoi edhe vetë trajneri Pacult, skuadra verilindore vijon të vuajë brishtësinë në mbrojtje, teksa lë hapësira të shumta dhe pëson shumë gola.

Kukësi luajti vetëm 30 minutat e para, më pas nuk ekzistonte dhe luajti vetëm Luftëtari. Çfarë ndodhi?
Pacult: Edhe unë jam i të njëjtit mendim, që në pjesën e dytë, sikur ishte ekip tjetër në fushë. Është fakt që pjesën e pare, të paktën deri në momentin që na barazuan, skuadra ishte vendosur në rregull dhe po e interpretonte si duhet ndeshjen. Më pas, as unë nuk di të shpjegoj se çfarë ndodhi.

Pse lë kaq shumë hapësira skuadra?
Pacult: Në fillim të lojës ishim të vendosur mirë dhe kishim lojën nën kontroll, por më pas, në pjesën e dytë i dhamë shumë hapësira dhe mundësi ekipit të Luftëtarit. Me të vërtetë e pakuptueshme ajo që ndodhi. Gabuam shumë në pasime, madje edhe në to të thjeshtat dhe besoj se kjo peshoi në ecurinë e lojës.

Duket sikur skuadra e Kukësit luan vetëm 30 minuta dhe më pas dorëzohet…
Pacult: Jam i mendimit që është e pamundur të mbash të njëjtin ritëm nga fillimi në fund, por duhet të mësojmë të menaxhojmë mirë lojën. Ne e nisim mjaft mirë dhe krijojmë edhe avantazhin në rezultat, por menaxhimi i lojës nuk ka qenë në nivelet e duhura.

Mund të themi se fitoi skuadra më e mirë?
Pacult: Si trajner asnjëherë nuk je i kënaqur me ekipin, sidomos pas një rezultati të tillë. Mund të them se nuk bëmë atë që duhet në këtë takim.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here