Përballja me Kamzën mund të konsolidojë edhe më shumë pozitat e Kukësit në vendin e dytë të renditjes. Përpara këtij takimi, trajneri i bluve Peter Pacult megjithëse vlerëson lojën e kundërshtarit, deklaron se veri-lindorët në çdo ndeshje hyjnë me pretendime të qarta për të marrë 3 pikët

“Kam thënë gjithmonë që asnjë trajner nuk kënaqet me një pikë. Në çdo takim duam fitoren. Po t’i kthehesha ndeshjes së fundit me Kamzën, ne kishim 3 shanse në 15 minuta e pas e humbëm sfidën. Është një ekip që mbrohet mirë dhe tenton me sulme të shpejta. Në ndeshjen me Partizanin i kishin mundësitë edhe të barazonin. Ne i marrim takimet me radhë dhe për momentin mendojmë për Kamzën. Se çfarë do ndodhë deri në fund, mbetet për t’u parë. Duhet t’i fitojmë ndeshjet tona e të mos merremi me të tjerët”, deklaroi Pacult.

Mungesa më e madhe për kuksianët është ajo e goleadorit Sindrit Guri. Tekniku 58-vjeçar shpreson se ata që do të kenë detyrën ta zëvendësojnë të jenë në gjendje të kompensojnë mungesën e shkodranit.

“Pas ikjes së Bakajt kemi vetëm Gurin në atë pozicion. E dinim se do vinte një moment kur do të duhet të bënim pa të. Shpresojmë që ai cili do ta zëvendësojë do ta kompensojë mungesën e tij. Nuk e kam vendosur ende se kush do të luajë në vendin e Gurit. Do pres stërvitjen e fundit që të vendos, pasi Balde ka një problem të vogël fizik”, u shpreh trajneri i Kukësit.

Pas më shumë se 3 muajsh në futbollin shqiptar, trajneri austriak e ka një kritikë, e cila ka të bëjë me ndalesat e shumta të lojës që frenojnë ritmin e një ndeshje, ndërsa tregon edhe për lidhjen tij me vendin tonë.

“Kam vënë re se ka shumë ndalesa, ndoshta 80%-90% e faulleve që jepen në kampionatin shqiptar, në Europë nuk llogariten fare. Ndërprerja e lojës bën që të mos ketë ritëm. Shqipërinë e njoh që kur isha futbollist, në 1981-shin kam pasur kontaktin e parë, pasi erdha me Shpresat. Në 1998-ën kam luajtur me Kombëtaren. Kontakti i fundit ishte në vitin 2006 për shkak të Salihit. Interesohesha shpesh për futbollin në Shqipëri. Ka pasur progres dhe këtë e konfirmoi pjesëmarrja në “Euro 2016”, tha Peter Pacult.

Kukësi nën drejtimin e Peter Pacult ka regjistruar 8 fitore, 4 barazime dhe 2 humbje mes kampionatit dhe Kupës së Shqipërisë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here