Fati ka dashur që Kukësi dhe Partizani vitet e fundit të kthehen në dy skuadra rivale për objektiva të rëndësishëm. Vjet luftuan për titullin, ndërsa këtë kampionat, për meritë absolute të Skënderbeut, beteja është për pozicionin e dytë.

Sfida e së shtunës vjen në momentin më të mirë të sezonit për blutë verilindorë dhe “demat”. Peter Pacult në eksperiencën e tij të parë në Shqipëri pas një karriere të pasur në Austri e Gjermani i ka ndryshuar jo pak fytyrën kampionëve. Më kryesorja i ka kthyer mentalitetin e fituesit që ky ekip e kish humbur disi në kohën e Milinkovicit dhe pjesë e karakterit të një skuadre fituese është edhe cinizmi. Këtë e tregoi në takimin e fundit ndaj Kamzës apo edhe në Vlorë kundër Flamurtarit.

Nëse Kukësi ka mësuar të triumfojë edhe pa i dominuar ndeshjet, Partizani po i bën të dyja që nga çasti kur Klevis Dalipit iu besua roli i trajnerit të parë. Të kuqtë jo vetëm që kanë siguruar 4 fitore dhe një barazim nën drejtimin e teknikut elbasanas, por e kanë bërë duke ofruar një futboll shumë më tërheqës. Për hir të së vërtetës Dalipi e ka deklaruar që në fillim: “Do të mundohemi ta kemi ne kontrollin e lojës.” Shumë skeptikë nuk e besuan, duke patur parasysh se sa po e niste rrugëtimin e tij si trajner kryesor, por fusha i dha të drejtë 42- vjeçarit.

Të shtunën, në orën 14:00, dy ekipet më në formë të momentit do të përballen për të përcaktuar nëse do të vijojë lufta për vendin e dytë apo “de facto” do të vendoset edhe pronari i këtij pozicioni.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here