Nga goli i rallë i portierit Moçka, te largimi i Starovës nga stoli, për të vazhduar me duelin ndaj Luftëtarit, skuadra që me rezultatin 5-0 në mes të dhjetorit të kaluar i ka shkaktuar Partizanit humbjen më të thellë sezonale. Tashmë me Klevis Dalipin të emëruar zyrtarisht në drejtimin e skuadrës, Partizani kërkon të hedhë pas shpine gjithçka që ka ndodhur në këto muajt e fundit, që për të thënë të vërtetën nuk kanë qenë aspak të qetë.

Me trajnerin e ri, por edhe me grupin thuajse të plot, objektivi për të kuqtë është të nisin serinë e fitoreve nga kjo e shtunë përballë gjirokastritëve, për të shpresuar një vend në zonën e kupave të Europës në fund të sezonit. E ndërsa portieri Alban Hoxha u bashkua me grupin, pas pushimit një-ditor për një lëndim të lehtë, sinjale optimiste vijnë nga infermieria. Arbnor Fejzullahi vazhdon të punojë me skuadrën pas operacionit në gju, me objektivin që të fitojë siguri dhe të kthehet në gjendjen më të mirë fizike.

E njëjta vlen edhe për Edgar Çanin që ka nisur stërvitjen me intensitet të plot me grupin dhe pavarësisht se gjendja nuk është optimale, sulmuesi ka treguar se ka cilësi tek të cilat ekipi mund të mbështetet për sprintin final të edicionit. Rikthimi i Çanit do të shërbejë që të rrisë rivalitetin në sulm, aty ku Progni, Asani dhe Bardhi janë titullarë, ndërsa Lukas Kardozo dhe Abdurrahimi, që u afruan me bujë në merkaton e dimrit presin shansin që të jenë titullarë. Me shpresën se ndoshta kjo mund të ndodhë prej kësaj të shtune ndaj Luftëtarit. Përballë një prej skuadrave më ofensive të kampionatit, të kuqve u nevojiten sulmuesit më të mirët në fushë për tu rikthyer te seria e fitoreve.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here