Dita në Korçë ka nisur me një lajm të shkëlqyer, titulli i fundit kthehet në palmaresin e klubit, aty ku numri i trofeve shpejt do të bëhet 8. Për ta festuar si duhet, ndeshja me Kamzën. Në fushë të gjitha mënjanë, vlen edhe për euforinë e lajmit të fundit nga KAS, ashtu siç vlente kur vendimet e UEFA-s rrezikonin të shembnin psikologjikisht skuadrën. Kamza nuk është kurrsesi një kundërshtar i lehtë, madje mund të thuhet se në këtë sezon triumfues ka rezultuar më i vështiri për Skënderbeun.

Në dy fazat e para i ka ndalur korçarët në barazim 1-1, ndërsa në takimin e fundit Skënderbeut iu desh të vuante për ta përmbysur ndeshjen pas avantazhit fillestar të skuadrës nga rrethinat e kryeqytetit. Një ndeshje në Korçë përballë skuadrës më të mirë të kampionatit natyrisht që nuk është vendi ideal për Julian Ahmatajn pët të nisur një aventurë të re me misionin për të mbajtur Kamzën në elitën e futbollit shqiptar.

Mision aspak i lehtë, me Kamzën që nuk fiton prej 7 ndeshjesh dhe drejtuesit që ndryshuan trajnerin pikërisht në kërkim të reagimit dhe ndryshimit të kursit. Sikur të mos mjaftonte shkalla e lartë e vështirësisë që ofron një sfidë me Skënderbeun, Ahmatajt i duhet të përballet me mungesat e dy titullarëve, Bruno Arrabal dhe Erlis Frashëri. 38-vjeçarit i duhet të bëjë zgjedhjet e duhura me synimin për të marrë një rezultat pozitiv ndaj Skënderbeut.

Për Ilir Dajën, vështirë se do të rrezikohen Sabien Lilaj dhe Orges Shehi, të cilëve u duhet dhënë kohë për të qenë gati si duhet për sfidën e mesjavës në Kupë me Flamurtarin. Mesfushori edhe në ndeshjen e kontrollit të enjten është rreshtuar me formacionin e dytë, shërbimet e tij do të jenë më të vlefshme në sfidën që vlen biletën për në finalen e Kupës.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here