Mbijetesa kalon nga përballjet direkte dhe te Vllaznia janë të vetëdijshëm për këtë fakt. Edicioni i kaluar ishte një mësim për kuqeblutë, që në javën e fundit siguruan mbijetesën në përballjen ndaj Tiranës, në klasiken që u gjykua nga një arbitër i huaj.

Edhe për duelin e javës së 29 në ‘Niko Dovana’ drejtuesit e Vllaznisë kërkuan që kjo sfidë të mos gjykohet nga arbitër vendas, por mesa duket janë dorëzuar në këtë aspekt.

Shkodranët i besojnë formës së treguar në dy javët e fundit, falë fitoreve ndaj Skënderbeut dhe Lushnjës. Por mbi të gjitha trajnerin Ernest Gjoka e ngroh së tepërmi reparti i sulmit, pasi kanë filluar të shënojnë dy sulmuesit kryesorë Xhevahir Sukaj dhe Andi Ribaj.

Madje nuk është çudi që me këtë ritëm, Xhevon ta shohim edhe në garën për Këpucën e Artë në javët në vijim, pasi 30-vjeçari po shënon rregullisht me nga 2 gola për ndeshje.

Ndaj Teutës Sukaj ka shënuar 3 gola në Superiore, një me Vllazninë dhe dy me Partizanin, ku përfshihet edhe ai i fazës së parë të këtij edicioni në ‘Niko Dovana’. Gjithashtu edhe vlonjati Ribaj ka shënuar gola deçizivë dhe në transfertën durrsake pritet të jetë më i karikuar nisur dhe nga fakti që luan me statusin e ishit.

Megjithatë historia e transfertave të fundit tregon se për kuqeblutë nuk ka qenë e lehtë ndaj Teutës, pasi fitorja e fundit daton më 31 gusht të 2014-ës me një gol të Arsid Krujës, që sot aktivizohet me fanellën e Teutës.

Për takimin e të dielës në mbrëmje, në orën 19:00 pritet që në Durrës të udhëtojnë një numër i konsiderueshëm tifozësh shkodranë, ndërsa po shikohet mundësia e vënies në dispozicion të tyre, edhe të disa autobusëve.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here