Pak surpriza në 8 sfidat e orës 19:00 në Europa League. Napoli iu afrua shumë përmbysjes së madhe por në fund ishte Leipzig që falë suksesit 3-1 në San Paolo avancoi në ruandin e 1/8-ave. Të kaltrit e Sarrit triumfuan 0-2 në transfertën gjermane por në saj të një goli më shumë në fushë kundërshtare ishte Leipzig që siguroi kualifikimin pasi rezultati i përgjithshëm ishte 3-3. Finalizimet e Zielinskit dhe Insignes nuk i mjaftuan Napolit që u eliminua nga Europa League dhe tashmë duhet ta përqëndrojë vëmendjen te kampionatin aty ku synon të fitojë sërish titullin kampion pas rreth 3 dekadash.

Atletico Madridit që e kishte siguruar kualifikimin që në ndeshjen e parë i mjaftoi një gol i shpejtë i francezit Kevin Gamerio me Los Colchoneros që triumfuan 1-0 edhe në takimin e kthimit.

Me Thomas Strakoshën në fushë, Lazio u shfaq si një uragan i vërtetë duke fshirë Steauan e Bukureshtit në sfidën e kthimit. Në Olimpico bardhekaltrit përmbysën humbjen 1-0 të ndeshjes së parë falë suksesit 5-1, në një sfidë ku Immobile realizoi një 3-golësh me Lazion që preu biletën për në fazën tjetër të Europa League.

Në barazim 3-3 përfundoi sfida e kthimit mes Sportingut dhe kazakëve të Astanës me portugezët që u kualifikuan në raundin tjetër falë fitores 3-1 në ndeshjen e parë.

Një gol i Traore i dha fitoren Lyonit edhe në takimin e dytë ndaj Villarealit me francezët që se vunë asnjëherë në diskutim kualifikimin.

Përmbysi humbjen 1-0 të sfidës së parë Zeniti i Roberto Mancinit që në Shën Petersburg kaloi 3-0 skocezët e Celtic falë golave të Ivanovic, Kuzyayev dhe Kokorin.

Të thjeshtë e pati dhe Viktoria Plzen që në Çeki mposhti 2-0 Partizanin e Beogradit dhe me rezultat të përgjithshëm 3-1 avancoi më tej.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here