Mbrëmjen e djeshme u mbyll zyrtarisht edhe merkatoja e dimrit, që pa si protagonist kryesisht skuadrat e Premier Leagues, por edhe Barcelonën, me afrimin e Coutinhos dhe Jerry Minës. Në Serinë A, u shpenzua shumë pak në këtë periudhë, teksa në total flitet për një shifër prej 25 milionë eurosh.

Napoli ishte skuadra që tentoi më së shumti për të afruar një futbollist që të jetë i aftë të luajë pas sulmuesit kryesor. Skuadra e Sarrit synon titullin kampion dhe kërkoi për një alternativë të Insignes dhe Callejonit, por fillimisht u refuzuan nga Simone Verdi dhe më pas dështoi papritur transferimi i Amin Younes. Gjithashtu, napolitanët humbën kohë edhe për të afruar Deulofeun, ndërsa dështuan në momentet e fundit edhe për afrimin e fantazistit të Sassuolos, Politano.

Merkato mjaft kaotike bëri edhe Roma, që në fund pa të largohen Emerson Palmeiri dhe mbrojtësi Moreno, ndërsa u afrua vetëm anësori Jonathan Silva. Ambienti verdhekuq ishte mjaft i trazuar, me Edin Dzekon që ishte thuajse i larguar, por u ndryshua gjithçka vetëm në momentin e fundit. Vetë drejtori sportiv i verdhekuqve, Mario Monchi pranoi se nuk ka bërë më të mirën në merkato, por theksoi se skuadra ka mjaftueshëm kualitet për të bërë para.

Më të zhgënjyerit nga kjo merkato mbetën fansat e Interit, pasi edhe në janar, ashtu si në verë, qarkulluan shumë emra të bujshëm, por erdhën lojtarë të paafirmuar. Kështu zikaltrit plotësuan numrat në qendër të mbrojtjes me Lisandro Lopezin e ardhur nga Benfica, që gjithsesi ende nuk dihet nëse do të përshtatet si duhet në Serinë A.

GJithashtu, me largimin e Joao Marios, u afrua Rafinha, një futbollist që mbulon pak a shumë të njëjtat pozicione si portugezi, por që mbetet për t’u parë nëse do të përshtatet më mirë se ish numri 10. Ëndrra e madhe ishte Javier Pastore, por pavarësisht përpjekjeve, nuk u arrit të konkretizohej, ndërsa fansat e zhgënjyer, u ngushëlluan me largimin e Nagatomos drejt Galatasarayt, në orët e fundit të merkatos.

Juventusi nuk kishte synime në këtë merkato, ndaj puna e Marrotës u përqëndrua te objektivat për merkaton e verës, por edhe te shqetësimi i rivalëve, siç ndodhi me Politanon, që synohej nga Napoli. Bindja e Emre Can që në verë të vishet bardhezi, ishte synimi kryesor i drejtuesve juventinë dhe duket se kanë marrë konfirmimin e lojtarit.

Milani, ashtu siç pritej, qëndroi jashtë kësaj merkatoje, duke bllokuar edhe largimet, teksa zgjidhi kontratën vetëm me Palettën. Nga ana tjetër, Lazio huazoi disa futbollistë të rinj, ndërsa kompletoi edhe mbrojtjen me afrimin e uruguaianit Caceres.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here