Trajneri i Teutës, Gentjan Begeja e ka kthyer në një refren pas çdo takimi, evidentimin e faktit që ‘skuadra nuk ka cilësi në sulm’. Natyrisht duke parë sezonin problematik të djemve të detit, nuk është kjo pika e vetme negative, por mungesa e një sulmuesi goleador është një handikap i madh për bregdetarët.

Amamdu Latif, që presupozohet të jetë njeriu-gol i Teutës, ka shënuar vetëm 4 gola në këtë kampionat, teksa në vitin 2018 ka gjetur rrugën e rrjetës në vetëm një rast, në atë fitore 2-1 në Kamëz.

Megjithatë kur diçka të mungon, duhet gjithnjë të zbulosh alternativa për të dalë nga situata dhe këto alternativa kanë ardhur nga mbrojtja e mesfusha, madje në një rast edhe nga portieri.

Në këtë sezon harta e realizimeve tek Teuta është shtrirë në 14 futbollistë, duke përfshirë edhe ata që u larguan në Janar, pra 14 emra për 32 gola. Ndoshta kjo është edhe forca e kësaj skuadre, goli mund të vij nga kushdo.

Të shtunën djemtë e detit do të kenë një transfertë shumë të vështirë në Gjirokastër, megjithatë ekipi durrsak duket se ka fituar moral pas dy fitoreve të njëpasnjëshme kundër Lushnjës e Laçit. Përballë bluzinjve edhe një barazim mund të konsiderohej i kënaqshëm, e më tej do të luhet mbase dueli i sezonit kundër Vllaznisë në “Niko Dovana”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here