Partizani ka larguar makthin Laçi, duke fituar 0-3 në transfertë dhe duke u shkëputur i vetëm në vendin e tretë të renditjes. Të kuqtë e drejtuar nga Dalipi vijojnë të tregojnë një formë mjaft të mirë, teksa sot regjistruan fitoren e tretë radhazi, ndërsa nuk humbin prej më tepër se 6 javësh.

Në Laç takimi u zhbllokua nga një gol i shënuar nga braziliani Lucas Cardoso, që dërgoi topin në rrjetë në minutën e 50’, duke i dhënë qetësinë të kuqve. Kur Laçi u hodh i tëri në sulm për të gjetur golin e barazimit, ishte një aksion fantastik i Besart Abdurrahimit, që galopon në krahun e majtë të sulmit, futet në zonë dhe shënon golin e dytë për Partizanin. Në minutën e 87’, me Laçin të dorëzuar tashmë, ishte Gerhard Progni që shënoi edhe golin e tretë për të kuqtë e Dalipit, duke vulosur rezultatin 0-3.

Fitore mjaft të vlefshme mori edhe Kukësi, që triumfoi minimalisht 0-1 në Kamëz. Me Gurin e dëmtuar, për verilindorët vendosi takimin braziliani Elton Cale, që shënoi në minutën e 5-të të takimit, duke bërë që Kukësi të konsolidohet në vendin e dytë të renditjes.

Nga ana tjetër Kamza mund të quhet zyrtarisht pjesë e zonës së ftohtë dhe do të duhet të luftojë shumë për të mbijetuar në Superiore, pasi Vllaznia dhe Teuta janë shumë pranë saj në renditje.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here