Paraqitjet fantastike të Kukësit në tre miqësoret që ka zhvilluar deri tani në Antalia nuk mbetën pa u vënë re nga menaxherë të ndryshëm që punojnë për skuadra të njohura në Europë. Falë formës së treguar në fitoret ndaj Kayserispor dhe Bursaspor dhe në barazimin ndaj Fenerbahces dy mbrojtësit Albi Alla dhe Simon Rrumbullaku kanë përfunduar në axhendën dy skuadrave shumë të njohura. Për 26-vjeçarin nga Gjirokastra është interesuar skuadra e Superligës turke Antaliaspor, skuadër tek e cila luajnë emra të mëdhenj të futbollit si Samuel Eto’o, Samir Nasri e Jeremy Menez. Turqit janë gati t’i ofrojnë Kukësit 300 mijë euro për kartonin e mbrojtësit të krahut të majtë dhe nëse oferta zyrtare, gjithçka do të jetë në dorë të drejtorit teknik Nderim Nexhipi dhe presidentit Safet Gjici pasi do të jenë ata që do të vendosin për të ardhmen e Rrumbullakut. Ndërkohë Albi Alla ka përfunduar në radarët e belgëve të Zulte Ëaregem skuadër tek e cila luan në formë huazimi edhe ish sulmuesi i Skënderbeut, Peter Olayinka. Edhe për Allën në ditët e ardhshme në drejtim të Kukësit pritet të vijë një ofertë zyrtare në terma shumë të mirë ekonomikë. Mesa duket miqësoret në Antalia i kanë shërbyer shumë kampionëve të Shqipërisë për të reklamuar në mënyrën më të mirë disa prej futbollistëve të tyre.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here