Një humbje që djeg për Laçin pasi disfata në Gjirokastër ndaj Luftëtarit ishte e treta radhazi për skuadrën kurbinase dhe tashmë objektivat komplikohen. Këtë e di shumë mirë edhe trajneri i Laçit Gentjan Mezani.

“ I kam kërkuar skuadrës gjithmonë të luajë në zona të shkurtra, te goli i parë ishte një gabim që erdhi si pasojë e presionit që po ushtronim te kundërshtari për topin e parë. Ishte një seri gabimesh, ishte një aksion që mund të evitohej shumë thjeshtë, por nuk e bëmë dot këtë dhe u ndëshkuam”. 3 humbje radhazi janë shumë në këtë fazë të sezonit dhe pozitat tona për të kapur Europën ndërlikohen ndjeshëm tashmë. Do të përpiqemi të reagojmë sa më shpejtë për të arritur objektivat sezonalë”.

Mezani foli edhe për çështjen Reginaldo e cila është përfolur shumë në media gjatë javës, duke sqaruar gjithçka, ndërsa kërkoi më shumë korrektsi nga arbitrat duke shtuar se goli i dytë i Luftëtarit erdhi si pasojë e dy gabimeve të gjyqtarëve dhe ishte i parregullt.

 “Të gjithë zërat që kanë dalë gjatë javës ju siguroj se nuk kanë qenë të vërteta, skuadra është e qetë dhe nuk kemi presion. Megjithatë këto zëra  edhe pse të pavërtetë( i referohet çështjes Reginaldo) normalisht kanë ndikuar në formën e skuadrës. Presioni i vetëm që kemi është ai i rezultatit për shkak të objektivave që kemi. Goli i Shkurtaj? Mendoj që ishte në pozicion jashtë loje, dhe nuk ishte penallti. Nuk kam folur asnjëherë për arbitrat por ata duhet të jenë më të saktë dhe më të vëmendshëm, edhe pse në këtë rast mendoj se gabimi nuk është bërë me dashje”.

Mezani shpjegoi edhe arsyet se përse e aktivizoi që nga minuta e parë sulmuesin nga Mozambiku.

“ Aktivizimi i Reginaldos që nga minuta e parë nuk ka qenë një blof i imi pasi lojtari është stërvitur, ka munguar vetëm një ditë gjatë të cilës është stërvitur i diferencuar por edhe aty në praninë time. Reginaldo është i gatshëm të dalë të flasë për mediat dhe të sqarojë gjithçka që ka ndodhur sepse nuk ka asgjë që mund të mbahet e fshehtë”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here