Ishte pikërisht goli i Ersil Ymerajt 5 minuta nga fundi që i dha fund aventurës së Mark Iulianos te Partizani. Kamza fitonte 1-0 dhe ishte pika e fundit që derdhi Kupën për trajnerin italian me të cilin të kuqtë kishin nisur projektin e këtij sezoni, një plan që sot rezulton tërësisht i dështuar. Nga Kamza te Kamza, janë diçka më shumë se dy muaj kalendarikë, 9 ndeshje në kampionat por Partizani në këtë përiudhë ka ndryshuar në pjesën më të madhe duke ju nënshtruar një revolucioni total. Në komandë erdhi Starova, trajneri që e mori skuadrën me vetëm 2 fitore në 9 javë kampionat ndryshoi trendin e rezultateve edhe pse ndonjë rrëshkitje sensacionale si ajo në Gjirokastër edhe në drejtimin e tij nuk mungoi. Skuadra ndërkohë ka pësuar ndryshime rrënjësore, në pjesën më të madhe të saj, fshesë masive për kontigjentin e afruar në verë prej të cilit ka mbetur vetëm Edgar Çani, dhe një merkato intensive me synimin për të plotësuar boshllëqet apo rritur konkurencën. 14 largime dhe 10 lojtarë të afruar në janar, është një shifër që flet shumë për transformimin e organikës ku bashkë me prurjet italiane janë larguar edhe një pjesë e mirë e pjestarëve të së ashtuquajturës garda e vjetër. Metamorfozë që natyrshëm nis të reflektohet edhe në formacion edhe pse pjesa më e madhe e blerjeve nuk kanë patur kohën për tu integruar si duhet për tu bërë pjesë e 11-shes titullare. Pikërisht para Kamzës në stërvitje me grupin është rikthyer dhe Edgar Çani, mund të ketë edhe ai minutat e tij, nga Kamza te Kamza, brenda një faze, ku Partizani ka ndryshuar rrënjësisht.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here