Me Messin në fushë Barcelona duhet thjeshtë të numërojë fitoret. Skuadra “blaugrana” fitoi 3-1 në “Camp Nou” ndaj Leganes falë një tregolëshi të 5 herë fituesit të Topit të Artë, që di të rrëmbejë skenën në momentet më të vështira të ekipit.

30-vjeçari dhuroi një nga perlat e tij me një goditje të lirë në minutën e 27-të, ndërsa 5 minuta më vonë e detyroi sërish portierin kundërshtar ta nxirrte topin në rrjeta, pasi shfrytëzoi një pasim kirurgjikal të brazilianit Coutinho.

Leganes shtoi përpjekjet në pjesën e dytë, derisa e kapi të papërgatitur mbrojtjen e Barcelonës në minutën e 68-të, kur El Zhar shkurtoi diferencën në 2-1. Për të larguar presionin nga “blaugranat” mendoi sërish Lionel Messi, që, pasi kotrolloi bukur me gjoks pasimin e Dembele, realizoi një gol të thjeshtë, duke e lënë të palëvizur portierin.

Barcelona vijon marshimin drejt titullit kampion në La Liga, ku është skuadra e vetme që ende nuk ka pësuar hubmje, ndërsa Messi me 29 gola në kampionat, mbetet kandidat kryesor për të fituar Këpucën e Artë në Europë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here