Interi dhe Roma kanë zhvilluar një ndeshje mjaft atraktive për dashamirët e futbollit, e cila përfundoi me rezultat të barabartë (1-1).

Ndeshja ishte shumë e hapur që nga fillimi me të dyja skuadrat që kërkonin ta gjejnë golin. Pas një rasti të mirë të Ivan Perisicit që iu mohua nga Alisson, mysafirët arritën ta zhbllokojnë rezultatin.

Ishte pikërisht portieri i Romës që nisi një top të gjatë drejt zonës së zikaltërve, ku e priti Stephan El Shaarawy. Sulmuesi i Giallorossëve shkoi përpara dhe e paraboloi Samir Handanovicin duke i dhënë epërsi skuadrës së tij (31′).

Edhe pas golit të shënuar vazhdoi loja e hapur e skuadrave , derisa vendasit dëshironin golin e barazimit. Megjithatë, Roma shkoi në pushim me epërsi.

Në pjesën e dytë, Nerazzurrët bënë një lojë shumë ofensive në kërkim që ta ndëshkonin ekipin kundërshtar. Pas disa rasteve, Mauro Icardi arriti ta godiste vetëm shtyllën.

Mirëpo, përpjekjet e vazhdueshme për të shënuar, iu shpaguan skuadrës së Luciano Spalletti. Marcelo Brozovic e gjeti në zonë Matias Vecinon, i cili e barazoi rezultatin nga afërsia (86′).

Tentativat për të shënuat gol tjetër nuk u ndërprenë deri në fishkëllimën e fundit të gjyqtarit, mirëpo takimi u mbyll pa fitues.

Interi është i katërti në tabelë me 43 pikë, kurse Roma është një pozitë më poshtë me 40 pikë, mirëpo Giallorossët kanë një ndeshje më pak të zhvilluar.

Në xhiron e ardhshme, zikaltrit udhëtojnë te Spali, kurse kryeqytetasit janë nikoqirë të Samdorias.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here