Triumfi ndaj Laçit në sfidën hapëse për vitin 2018 krijoi përshtypjen se Kamza u rikthye “hirushja” e 13 javëve të para, ekip solid dhe tepër cinik, që kërkon pjesëmarjen në Europë. Fundjavën e shkuar, blutë e periferisë së kryeqytetit janë thyer sërish. Nuk përbën lajm që të mundesh nga Partizani, por fakti se si janë pësuar golat nga formacioni i Ramadan Ndreut nuk ka lënë shije të mirë te trajneri krutan, që për transfertën e “Zeqir Ymerit” po mendon ndryshime pikërisht në repartin e mbrojtjes.
Braziliani Leo Lelis nuk po arrin të mbushë boshllëkun e krijuar nga largimi i Ivan Fustar, me kroatin që cilësohej si një nga pikat më të forta të Kamzës. Në transfertën ndaj kampionëve në fuqi pritet të debutojë afrimi i merkatos së janarit, mbrojtësi nga Mali i Zi, Igor Cukovic. Pritshmëritë ndaj 24-vjeçarit janë të mëdha, pasi ka një “cv” të pasur, pasi ka luajtur në kampionatin e vendit të tij me Sutjeskën, duke u shpallur kampion, ndërkohë që ka qenë titullar edhe në eliminatoret e Champions League.
Eksperiencën, por edhe aftësitë e tij, kërkon t’i shfrytëzojë trajneri Ndreu për të evituar që skuadra të përsëritë një tjetër paraqitje si ajo në “Selman Stërmasi”, ku pikërisht mbrojtja u vendos nën akuzë për golat e pësuar. Përveç mbrojtes, pritet më shumë edhe nga sulmi, ku dyshja Plaku – Racic nuk po funksionon si në 13 javët e para të kampionatit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here