Walter Mazzarri do të jetë për herë të parë pjesë e derbit të Torinos, që kjo e fundit do të luajë përballë Juventusit, të dielën në orën 12:30.

Ish trajneri i Interit pranoi se kjo është një sfidë shumë special, por u shfaq mjaft i qetë, duke shprehur besim se skuadra e tij do të dijë ta interpretojë në mënyrën e duhur sfidën.

“Sapo shkela te Torino, e kuptova rëndësinë që ka kjo sfidë për ambientin. Kemi punuar shumë mirë gjatë javës, duke analizuar në detaje sfidën, ndaj jam i qetë, sepse besoj se nëse skuadra ime jep më të mirën, mund të vërë në vështirësi këdo”, u shpreh Mazzarri.

Juventusi është kampionia në fuqi dhe skuadra për t’u mundur, teksa në thuajse të gjitha sfidat e fundit derbi, bardhezinjtë kanë triumfuar. Rasti i fundit ishte përballja e Kupës së Italisë, fituar nga skuadra e Allegrit me rezultatin 2-0, që I kushtoi eliminimin Torinos.

“Për Juventusin flasin numrat dhe arritjet, ndaj nuk ka nevojë të shtoj gjë. Janë skuadra më në formë në Itali dhe tashmë të konsoliduar. Edhe Allegri është një trajner për të cilin gëzoj respekt, pasi punon mirë dhe është shumë i përgatitur”, tha Mazzarri.

Derbi Juventus-Torino do të prodhojë edhe një sfidë mes bomberave të dy skuadrave, Gonzalo Higuainit dhe Andrea Bellotit. Por Mazzari thekson se ka pritshmëri të larta nga një tjetër lojtar.

“janë dy sulmuesë të një niveli mjaft të lartë. Belloti ka treguar se mund të shënojë shumë gola, teksa vitin e kaluar e dërgoi 26 herë topin në rrjetë. Nëse punon mirë, mund t’i tejkalojë këto shifra. Gjithsesi, unë pres shumë edhe nga Iago Falque, një lojtar që përveç aftësive teknike, luan shumë për skuadrën”, deklaroi trajneri i Torinos.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here