Manchester City është kualifikuar në finalen e Carabao Cup pasi mposhti me rezultatin e përgjithshëm 5-3 Bristol. Mbrëmjen e sotme djemtë e Pep zhvilluan një ndeshje të shkëlqyer duke siguruar finalen e madhe pas suksesit 3-2. Nesër “Qytetarët” do të mësojnë se me kë do te përballen në finale, Chelsea-n apo Arsenalin.

45’ minutat e para folën tërësisht për miqtë, të cilët e dominuan kundërshtarin në çdo aspekt. Edhe pse rastet për gol nuk munguan City shkoi në dhomat e zhveshjes me avantazhin minimal, 1-0 pas golit të shkëlqyer të Sane (43’).

Edhe në të dytën “Qytetarët” duken mjaft të uritur dhe pas 4’ minutash dyfishojnë shifrat me Aguero. Argjentinasi shfrytëzoi pasën e shkëlqyer të De Bruyne dhe i vetëm përballë portierit e dërgoi sferën në rrjetë. Belgu regjistroi asistin e 14-të në të gjitha garat këtë sezon, më shumë se çdo lojtar tjetër në Premier League.

Pas një aksioni të shpejtë vendasit rihapin ndeshjen me anë të Pack që shënoi një gol të shkëlqyer nga një pozicion tepër i vështirë me kokë (64’). Në minutat e mbetura, loja u kontrollua nga City, por golin e shënojnë vendasit. Flint barazoi gjithçka në minutën e tretë shtesë. Pas këtij goli të gjithë prisnin fishkëllimën e trefishtë të arbitrit për të sinjalizuar fundin e ndeshjes, por City nuk dorëzohet dhe në aksionin e radhës De Bruyne, shënon një gol të bukur për t’i dhënë fitoren “Qytetarëve”.

Për Manchester City-n, ky është një hap tjetër drejt arritjes së pamundur. Tripleta është arritur nga shumë ekipe, por të fitosh katër trofe në një sezon duket e pamundur. Megjithatë Pep mund t’ia dalë, pasi është pretendent në FA Cup, kryeson bindshëm Premier League, në Champions League përballet me një kundërshtar të lehtë dhe sot siguroi finalen e Carabao Cup.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here