Luftëtari i edicionit të shkuar, pavarësisht se ishte argëtues dhe bëri për vete shumë të apasionuar pas futbollit, në fund ndodhej në luftë të hapur, në njërin krah ishte pranë Europës, ndërsa në mënyrë paradoksale rrezikonte edhe qëndrimin. Në këtë edicion situata është shumë më optimiste. Gjirokastritët thjuajse e kanë siguruar qëndrimin, duke pasur një epërsi prej 11 pikësh kundrejt Teutës, ndërkohë që kanë vendosur nën shënjestër vendin e tretë.

Pas ardhjes së Hasan Likës në  stol, identiteti i humbur gjatë periudhës fillestare të sezonit nisi të rikthehej tek bluzinjtë dhe në janar Bregut e Abazajt iu bashkua një tjetër lojtar me cilësi të admirueshme, si Vasil Shkurtaj. Sulmuesi pritet të jetë arma plus në takimin kundër Lushnjës. Shkurtaj mungon prej 4 javësh për shkak të një dëmtimi, por tashmë është rikthyer dhe gjasat janë që të zbresë në fushë si titullar kundër verdhejeshilëve.

Në letër është një raund favorizues për Luftëtarin. Pavarësisht se “lagunarët” po mundohen ta respektojnë kampionatin, duket e vështirë që të bllokojnë vrullin e një ekipi që po funksionon në shumë aspekte. Laçi e Partizani, që ndodhen përpara skuadrës gjirokastrite, kanë dy transferta shumë të vështira në Durrës dhe në Kamëz, në këtë mënyrë mundësitë e ngushtimit të diferencës janë të shumta për të besuarit e Likës. Kjo skuadër ndoshta e meriton një vend në historinë e klubit dhe historia do të ishte pjesëmarrja në Europa League.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here