Luftëtari bëhet gati për turin e forcës, pasi në harkun e një jave do të duhet të kalojë 3 përballje të rëndësishme, dy në kampionat dhe një në kupë. Pas triumfit ndaj Skënderbeut në sfidën hapëse të vitit 2018 gjirokastritët kanë lënë për të dëshiruar në rezultate dhe në lojë, pasi janë mundur në kupë 3-0 ndaj Laçit dhe barazimi në Lushnjë pa gola.

Megjithatë, në një ndeshje të rëndësishme si ajo ndaj Teutës, bluzinjtë shkojnë të kompletuar, pasi trajneri Hasan Lika më në fund ka pasur të gjithë grupin në dispozicion. Në seancat e fundit stërvitore janë bashkuar me skuadrën edhe të dëmtuarit Oltion Rrapa dhe Eri Lamçja.

Mbrojtësi nga Tepelena u dëmtua në minutën e 4-t të sfidës me Skënderbeun, ndërkohë që sulmuesi nga Elbasani ka pasur probleme pas rikthimit nga Turqia. Të dy futbollistët janë bashkuar me grupin duke marrë ngarkesën e plotë ndërkohë që konkurrenca është rritur ndjeshëm në ekip. Transferta në Durrës është e veçantë për sulmuesin 24-vjeçar, por mbi të gjitha për trajnerin Hasan Lika, që ka drejtuar në “Niko Dovana” si trajner dhe si drejtor sportiv, duke fituar edhe Kupën e Shqipërisë.

Në 3 transfertat e fundit të kampionatit, Luftëtari ka fituar dy dhe barazuar një, pikërisht të fundit ndaj Lushnjës. Një sukses i gjirokastritëve i afron me zonën europiane, ndërsa humbja afron Teutën pranë bluzinjve.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here