Cristian Panucci bëri publike listën e futbollistëve që do të grumbullojë për miqësoren me Norvegjinë, që do të zhvillohet më 26 mars në “Elbasan Arena”. Përtej lajmit tashmë të njohur se nuk i ka dërguar ftesë Ledian Memushaj të Beneventos, trajneri italian befason me disa emra të rinj, si Herdi Prenga, Bujar Lika, Enis Gavazaj dhe Kristal Abazaj, që bëhen pjesë e Kombëtares për herë të parë. Nga ata më veteranët mungojnë Agolli, Basha, Veseli, Llullaku, Memushaj dhe Kaçe. Natyrisht, duke qenë ndeshje miqësore, përplasja me Norvegjinë do t’i shërbejë trajnerit Panucci për të parë nga afër disa lojtarë të rinj, që mund të jenë pjesë e fushatës kualifikuese për “Europianin 2020″.

Në njoftimin e FSHF-së shkruhet se “në listën e trajnerit për këtë ndeshje vihen re edhe grumbullimet e disa lojtarëve të rinj që vijnë për herë të parë në  skuadrën kombëtare të futbollit, në një kohë që një pjesë tjetër mungojnë edhe për efekt dëmtimi. Grumbullimi i skuadrës përfaqësuese do të nisë të hënën në datë 19 mars, në resort “Tropikal” në Durrës. Ditën e hënë do të bëhet publike edhe programi i plotë mediatik dhe stërvitor për ekipin kombëtar të futbollit, për gjithë javën e grumbullimit.”

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here