Java e 26 e Vala Superligës në Kosovë do të startojë nesër me ndeshjen Vllaznia e Pozheranit-Liria, që do të luhet në orën 14:00 dhe do të transmetohet live edhe në Supersport.

Prizrenasit vijnë pas barazimit të papritur me Besën e Pejës, ndaj do të udhëtojnë në Gjilan me synimin e vetëm, marrjen e 3 pikëve, që do t’i mbante në garë si për një vend në Europë, ashtu edhe për titullin kampion.

Nga ana tjetër, Vllaznia e Pozheranit mban vendin e fundit në tabelën e renditjes dhe lufton për të arritur të paktën në zonën Play Out, ndaj në ndeshjet në shtëpi duhet të kërkojë pikë me patjetër.

Gjithsesi, sulmuesi i Lirisë, Mevlan Zeka ka pranuar se prizrenasit kanë vuajtur ndaj skuadrave të fundit të tabelës, por ka premtuar se këtë herë do të kthehen me 3 pikë nga Gjilani.

‘Kemi para një ndeshje të vështirë. Ne, javët e fundit, na kanë sjellë shumë probleme skuadrat e pjesës së poshtme. Mirëpo, të vetëdijshëm për rëndësinë e ndeshjes, do t’i qasemi me përkushtim si kurrë më parë kësaj sfide. Besoj dhe shpresoj shumë që nga Gjilani të kthehemi me fitore’, ka thënë sulmuesi Mevlan Zeka.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here