Vllaznia pret Kukësin të premten në stadiumin “Loro Boriçi” dhe kuqeblutë duken gati për këtë takim. Kapiteni Gilman Lika ka folur për këtë takim për mediet dhe tregon se gjendja e ekipit është mjaft e mirë. “Gjendja e skuadrës është optimale, ka ditë që i kemi nisur përgatitjeve dhe ditët e fundit kanë qenë intensive, duke e ditur që me Kukësin është një ndeshje shumë e fortë. Po presim ditën e premte për të dhënë maksimumin dhe shpresoj për të marrë trepikëshin”, thotë fillimisht Lika.

I pyetur nëse kuqeblutë janë më të fortë pas përforcimeve të janarit, mesfushori shton: “Ashtu besojnë dhe shpresojnë të gjithë. Lojtarët që kanë ardhur e kanë forcuar shumë grupin e Vllaznisë”. Sukaj, Berisha, Malota dhe Mersini janë futbollistët e afruar, teksa mbrojtja është reparti që ka pësuar revolucion.

Objektivi i Vllaznisë me Kukësin janë tre pikët. Lika është optimist dhe kjo ka disa arsye: “Optimizmin e bazoj tek stërvitja qe kemi bërë gjatë fazës përgatitore, tek cilësia që ka ekipi brenda, te grupi. Ka shumë arsye për të besuar te fitorja”. Në fund ai shpreson që tifozët të jenë të shumtë në stadium: “Shpresoj të jenë të shumtë. Po të ndodhë kështu, janë një ndihmë shumë e madhe për të arritur fitoren”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here