Luftëtari po synon të shkruajë historinë duke fituar për herë të parë një vend në skuadrat që sezonin e ardhshëm do të marrin pjesë në Europa League.

Gjirokastritët kanë një përballje aspak për t’u nënvlerësuar kundër Teutës dhe në prag të kësaj sfide trajneri Hasan Lika vlerëson maksimalisht ekipin durrsak, duke e cilësuar përballjen si mjaft të vështirë

“Teuta ka një ekip mjaft të mirë, me djem të rinj dhe lojtarë të talentuar, që mund të vënë në vështirësi çdo kundërshtar. Për më tepër, janë në një situatë mjaft të vështirë dhe do japin gjithçka për të marrë pikë, ndaj duhet të bëjmë kujdes, sepse nuk do të jetë aspak ndeshje e lehtë”, deklaroi Lika.

Lika ka probleme me një disa lojtarë që kanë shqetësime të vogla fizike, megjithatë trajneri shpreson ta ketë të plotë grupin e futbollistëve, megjithëse ka besim maksimal edhe tek ata që kanë luajtur më pak.

“Disa prej titullarëve kanë shqetësime të vogla fizike, që do t’i vlerësojmë deri nesër, por besoj se do t’i kem të gjithë në dispozicion. Gjithsesi, kushdo që të luajë, kam besim se do të bëjë më të mirën në fushë”, u shpreh trajneri i gjirokastritëve.

Gjyqtarët kanë qenë në qendër të vëmendjes javët e fundit dhe tekniku i Lufëtarit kërkon që në këtë aspekt kjo ndeshje të mos shfaqë problematika.

“Nuk dua të komentoj shumë arbitrat në fakt, por jemi në një fazë vendimtare të sezonit dhe shpresoj që gjykimi të mos bëhet përcaktues as në takimin e nesërm”, u shpreh Hasan Lika.

Luftëtari nuk e ka pasur të thjeshtë me Teutën në këtë edicion, 2 fitore i kanë shkuar djemve të detit, ndërsa në një rast ka triumfuar ekipi bluzi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here