Situata për legjionarët tanë, vijon të jetë e njëjtë edhe pas kësaj fundjave, teksa nga Zvicra dhe Italia vijnë konfirmime pozitive sa i përket repartit të mbrojtjes. Kështu Ermir Lenjani ka përfunduar në formacionin e javës të së përditshmes ‘Blick’, pasi ka bërë një paraqitje të jashtëzakonshme në transfertën ndaj Lozanës. Mbrojtësi i majtë dha edhe asistin e njërit prej golave të shënuar nga Sioni.

Në Spanjë, Sadiku u aktivizua në minutën e 63-të, në fitoren e Levantes ndaj Las Palmasit, në një sfidë që vendasit e mbyllen me 10 futbollistë. Në Segunda Division Manaj luajti për 90 minuta me Granadën, në sfidën e barazuar në shtëpi ndaj Osasunës.

Sulmuesi lushnjar nuk ka shënuar në këtë sfidë, por ka ndihmuar ekipin në fazën sulmuese. Në Itali, Berat Gjimshiti vijon me ecurinë pozitive, pavarësisht se Benevento u mposht nga Juventusi. Vijojnë paraqitjet e mira edhe për dy portierët Etrit Berisha dhe Thomas Strakosha, me Lazion që ka rimarrë zonën Champions, madje duke parakaluar dy kundërshtarë, Interin dhe Romën.

Si zakonisht Elseid Hysaj ka qëndruar për 90 minuta në fushë, në atë fitore dramatike që Napoli arriti ndaj Chievos. Vijon të qëndrojë në stol Arlind Ajeti, që nuk po bind trajnerin Walter Zenga për të dhënë ndihmën e tij. Migjen Basha konfirmohet si një nga lojtarët kryesorë në formacionin barez, me skuadrën e Fabio Grossos që nuk shkoi më larg se barazimi 1-1 në shtëpi ndaj Salernitanës.

Brescia ka kthyer fatet e sezonit dhe Emanuele Ndoj është një nga lojtarët kryesorë të skuadrës së boscaglias, që i është larguar zonës së rënies dhe asaj të Play Out. Tek Virtus Entella, Naser Aliji është titullar i padiskutueshëm, ndërsa në transfertën e Cesenës nga minuta e 65-të hyri në fushë edhe Llullaku.

Nuk vijnë ende lajme të mira nga Bundesliga, ku Abrashi nuk luan prej dëmtimit të pësuar, ndërkohë që nuk ka ndryshuar ende situata për Mavrajn, që vijon të jetë larg Hamburgut. Mbrojtësi është dërguar të stërvitet me ekipin e të rinjve, nga trajneri Titz, për shkaqe sportive.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here