Laçi nuk e ka nisur asnjëherë kampionatin si skuadra më e kredituar për të fituar trofe apo për të shkuar në Kupat e Europës. Historia e sezoneve të kaluar ka treguar të kundërtën. Bardhezinjtë edhe pse pa të ashtuquajturit yje në ekip kanë arritur të triumfojnë në Kupën e Shqipërisë dhe gjithashtu kanë qënë disa here pjesë e Ligës së Europës.

Perceptimi pesimist për kurbinasit ishte i njejtë edhe në këtë edicion, por me kalimin e javëve erdhën fitore me vlera dhe nën drejtimin e Mezanit që morri vendin e Nicës pas vetëm 3 javëve ekipi iu afrua vendit të dytë, megjithatë duket se ingranazhet janë bllokuar në takimet e fundit.

Në Durrës u pa një skuadër e pa motivuar, pa dëshirë dhe e përgjumur. Për rrjedhojë erdhi humbja edhe pse me rezultat minimal. Në gjysmë-finalen e parë të Kupës kundër Kukësit sërish nuk u pa ajo skuadër që luftonte në çdo sektor, madje u duk një ekip deri diku i frikësuar për të provuar deri në fund. “Shuplaka” më e rëndë erdhi ndaj Partizanit, 3 gola të pësuar brënda në Laç dhe një humbje që ka bërë të dëgjohen në horizont “këmbanat e alarmit”. Mangësia kryesore që është evidentuar është gjëndja fizike, duket se tashmë që edicioni po i drejtohet epilogut bardhezinjtë nuk kanë më “benzinë në serbator”. Një problem madhor për një skuadër që lojën e ka bazuar pikërisht tek energjia, ajo goditje e rëndë e marrë “drejt e në fytyrë” nga Partizani duhet  ta zgjojë Laçin, sepse në të kundërt sezoni deri më tani thuajse i përsosur rrezikon të kthehet papritmas në një dështim zhgënjyes.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here