Humbja me Teutën në fundjavën që kaloi, u përjetua si dramë dhe u shoqërua me grumbullimin e ekipit në formë ndëshkimi dhe gjobitjen me rrogën e një muaji. Masa ndoshta të tepruara, ato të vendosura te Laçi, edhe sepse një disfatë nuk mund të zhbëjë gjithçka të mirë të bërë në këtë sezon, ku ecuria është mbi çdo parashikim të mundshëm, për atë që është skuadra më e re në moshë dhe ku nuk janë shpenzuar miliona si në ekipet e tjera.

Për të hedhur pas shpine 90-minutëshin në “Niko Dovana”, tashmë është radha e Kupës. Një aktivitet ku Laçi është kthyer në një prej ekipeve eksperte dhe ku pritshmëritë janë të mëdha. Megjithatë përballë tyre në gjysmëfinale është një tjetër pretendent, si Kukësi, që pasi e sheh veten në avantazh në garën për vendin e dytë në kampionat, synon ta fitojë Kupën për të mos e mbyllur sezonin pa trofe. Përveç forcës dhe kualitetit të rivalëve, kurbinasve u duhet të luajnë edhe kundër historisë së viteve të fundit. Laçi nuk fiton një ndeshje ndaj Kukësit prej 29 majit 2015, pikërisht finalja e trofeut të dytë të Kupës, të fituar në historinë e klubit.

Prej asaj periudhe, veri-lindorët janë kthyer në rivalin më të vështirë. Asnjë përballje e fituar në harkun e tre vjetëve, ku në 12 ndeshje të luajtura në të gjitha kompeticionet Laçi ka barazuar vetëm në pesë raste, duke pësuar 7 humbje. Kukësi i mposhti me penallti në finalen e Kupës të vitit 2016 (22 Maj 2016) pasi koha e rregullt dhe shtesa përfunduan në barazim 1-1. Edhe këtë herë, misioni nuk do të jetë aspak i lehtë por prej vitesh Kupa ka qenë kura ideale e problemeve të Laçit dhe kjo mund të shërbejë si një garanci për ekipin e talentuar të drejtuar nga Gentian Mezani.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here