Reali i Madridit fitoi Championsin në qershorin e 2017-ës, duke u bërë klubi i parë që e fiton këtë trofe 2 herë me radhë, teksa në finalen e Kardifit, mposhti Juventusin me rezultatin 4-1.

Bardhezinjtë kaluan të parët në avantazh, ndërsa pjesa e parë përfundoi në barazim 1-1, por me Juventusin më aktiv dhe më kërkues. Në pushim të ndeshjes, Zidane la vetë ekipin përreth 7 minuta, ndërsa më pas mbajti një fjalim që zgjati rreth 2 minuta.

Në aq pak kohë, tekniku francez i madrilenëve u tregua i saktë në orientimin e lojës dhe motivimin e lojtarëve, ndaj dhe arriti të rikthejë në fushë një skuadër më të fortë se kurrë, që i shënoi Juventusit 3 gola në 45 minuta.

Ja fjalimi i Zidane në pushimin e finales së Kardifit:

Vetëm disa gjëra të vogla. Është një finale dhe e dimë që është e vështirë, por e tillë është edhe për kundërshtarët. E rëndësishme për ne është që në fazën mbrojtëse të jemi më shumë agresivë. Jo agresivë në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, por të gjejmë kohën e duhur. Nënkuptoj më të ngjeshur, më kompaktë dhe më agresivë.

Ata luajnë 4-4-2, me Mandzukiç dhe Dani Alves, shumë të avancuar. Ajo që duhet të bëjmë, është t’i sprapsim, ashtu siç na takon ta bëjmë ne. Isco, kur topin ta ketë kundërshtari, shko luaj në të majtë, në linjë me mesfushën tonë dhe kështu do të kthehemi në 4-4-2 edhe ne. Kur të rikuperojmë topin, avanco mes linjave.

Duhet të kemi parasysh që kur të kemi topin, të tregojmë durim. Të luajmë, por të tregohemi më të shpejtë dhe të zbresim nga krahët, me Carvajal dhe Marcelon, të gatshëm për të vrapuar në fundore. Kur të kemi topin, duhet t’i detyrojmë që ata të mbrohen shumë mbrapa, duke mbajtur atje Carvajal e Marcelon.

Për pjesën e mbetur, duhet të luajmë ashtu siç jemi përgatitur gjatë javës, me Modriç e Isco që duhet të bëjnë me radhë sulmin dhe mbrojtjen. Goli vjen kështu: Luajmë me topin, hapemi në krah, topi në mes dhe mbërrijmë në qendër për ta dërguar në rrjetë.

E vetmja gjë që duhet të bëjmë pra, është t’i japim lojës më shumë ritëm dhe më shumë shtrirje. Jo shumë lojë në qendër, por dalje sa në një krah, edhe në tjetrin. Në mbrojtje, fusim këmbën gjithmonë dhe vazhdojmë punën. Është një finale dhe patjetër që do të vuajmë, por me qetësi. Duhet të mendojmë që goli do të vijë, dakord?. Shkojmë!

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here