Donjet Shkodra, Maldin Ymeraj dhe Filip Zderiç. Tre blerjet e bujshme të Kukësit u paraqitën në orar në qendrën stërvitore në Pezë Helmës për seancën e dytë të ditës së enjte. Zderiç është një emër me eksperiencë që do të shtojë më shumë peshë në repartin e tërhequr, ndërsa një tjetër emër që krijon kurreshtje është mesfushori Maldin Ymeraj që bashkohet me Kukësin pas një eksperience 2-vjeçare në Greqi me Akropolis. Pas kthimit nga Antalya, trajneri Peter Pacult nuk e ka ulur ritmin stërvitor, duke rritur ngarkesën për skuadrën e tij, që zhvilloi një fazë përgatitore komode në Turqi. Tapeti me bar artificial kërkon më shumë kohë ambientimi dhe rreziku i dëmtimeve është më i madh, por trajneri austriak synon ta shfrytëzojë këtë 10-ditësh për të kolauduar sa më mirë grupin e tij në prag të pjesës së dytë të sezonit, ku do të kërkojë të ngushtojë sa më shumë diferencën me Skënderbeun kryesues dhe të shfrytëzojë në maksimum mundësitë që do t’i jepen ekipit të tij. Në krahasim me paraarardhësit e tij, Pacult ndjek një metodë të ndryshme pune dhe kjo reflektohet në ambient apo edhe në sjelljet e tij me mediat. Numri 1 i stolit nuk preferon të flasë përpara seancës stërvitore, duke kërkuar përqendrim maksimal edhe nga skuadra e tij. Fillimisht grupi iu nënshtrua udhtrimeve fizike për të evituar dëmtimet e mundshme muskulore dhe për të fituar ngarkesën e nevojshme dhe më pas zhvilloi ushtrimet teknike dhe taktike të nevojshme për t’i dhënë një fytyrë të re skuadrës pas dy fazave të para aspak pozitive. Sipas burimeve nga klubi kampion, emri i vetëm që pritet të bashkohet me skuadrën është ai i mesfushorit kroat Dejan Glavica, i cili nuk e ka hedhur ende firmën në kontratë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here