Sindrit Guri është sulmuesi më i mirë i këtij edicioni dhe në këtë pikë të paktë janë ata që mund të kenë dyshime. Një “snajper” përballë çdo kundërshtari. Shkodrani u ka realizuar 7 nga 9 skuadrat e Superiores, duke mos gjetur rrugën e rrjetës vetëm ndaj Laçit dhe Kamzës.

Mundësinë për t’i realizuar ekipit nga periferia e Tiranës nuk do ta ketë më në këtë kampionat. Autori i 12 golave, prej të cilëve vetëm një i shënuar me penallti, për herë të parë në këtë edicion do të qëndrojë në tribunë. 24-vjeçari, i cili ka zbritur në fushë në të 27 sfidat, madje duke mos u zëvendësuar në 26 prej tyre, ka plotësuar numrin e kartonëve dhe do të jetë mungesa e madhe e bluve në sfidën përballë Kamzës.

Pika më e fortë e kampionëve nuk do të jetë në dispozicion të Pacult dhe tekniku austriak për herë të parë do të duhet të përballet me një test të vështirë, gjetjen e alternativave në sulm. Një futbollist si Guri është vështirë të zëvendësohet, megjithatë është e detyrueshme të gjenden shtigje të tjera për të shkuar te goli. Kandidatët për ta nisur nga minuta e parë janë Lavdrim Ebipi dhe Amido Balde.

Nëse vendoset për Ebipin, atëherë do të provohet një modul ofensiv që nuk do të bazohet në një qendërsulmues roli, ndërsa nëse i besohet ish-lojtarit të Celtic atëherë në njëfarë mënyrë do të jetë e njëjta formulë, edhe pse më një aktor që ende nuk është ngjitur mirë në skenën e  Kategorisë Superiore.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here