Një jetë e kaluar me futbollin dhe në nivelet më të larta të imagjinueshme. Trajneri i Shqipërisë, Christian Panucci festoi 45-vjetorin e lindjes, me urimet që kanë qenë të gjithanshme.

Përveç mesazhit nga Federata Shqiptare e Futbollit dhe presidenti i saj, Armand Duka, tekniku kuqezi u urua edhe nga klubet gjigantë të Serisë A, Milani dhe Roma.

Te Milani urimi erdhi pavarësisht se tifozët nuk ia kanë falur asnjëherë Panuccit faktin që në sezonin 1999-2000 vendosi të luante me Interin. Kjo edhe për faktin se ish-mbrojtësi ishte pjesë e skuadrës fituese si askush tjetër, duke qenë protagonist absolut dhe në fushë fitoi gjithçka të mundshme.

Kuqezinjtë publikuan në profilin zyrtar në “Twitter” fotografinë ku Panucci festonte së bashku me Ruud Gullit, duke kujtuar edhe statistikat me 134 ndeshje me “Djallin” dhe 12 gola të realizuar, duke fituar 6 trofe.

Trofeu i Champions i fituar me Milanin dhe më pas ai i ngritur me fanellën e Realit të Madridit janë më të rëndësishmit në karrierën e Panuçit si futbollist, megjithatë ish-mbrojtësi kujtohet edhe te Roma për tetë sezonet dhe kontributin e dhënë në ‘Olimpico’.

Edhe klubi verdhekuq e uroi trajnerin e Shqipërisë duke publikuar një video në profilin zyrtar në “Twitter”, me golin e ka shënuar Barcelonës në vitin 2002. Gjatë eksperiencës së gjatë te Roma, Panucci shënoi 31 gola në 315 ndeshje, duke fituar dy herë Kupën dhe një herë Superkupën e Italisë.

Një luftëtar që nuk ndalej së vrapuari në fushë që vazhdon të vlerësohet nga Milani dhe Roma për atë që ka bërë dhe që synon të vazhdojë historinë e sukseseve edhe në stolin e Shqipërisë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here